Zeav i gatshëm t’i japë garanci me shkrim Bullgarisë

Nga Exit News
Zeav i gatshëm t’i japë garanci me shkrim Bullgarisë

Maqedonia e Veriut është e gatshme t’i garantojë me shkrim Bullgarisë se nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj saj dhe se nuk do të përzihet në punët e saj të brendshme.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar sot se vendi i tij është i vendosur të zbatojë deri në fund Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, të arritur mes dy vendeve në vitin 2017.

Ne jemi të gatshëm, nëse Bullgaria dëshiron që të japim garanci në letër, memorandum, deklaratë, protokoll, çfarëdo që mund të konfirmohet nga qeveria dhe të miratohet në një konferencë ndërqeveritare të tregojmë se nuk kemi pretendime territoriale ndaj Bullgarisë ose ndonjë vendi tjetër”, tha Zaev në mbledhjen e qeverisë me rastin e 100 ditëve të punës.

Ai theksoi se Shkupi nuk kërkon të ndërhyjë në punët e brendshme të Sofies duke iu referuar çështjes së pakicave dhe nënvizoi se kjo temë është ngritur nga Parlamenti Europian.

Për çështjen e pakicave, shqetësimet e Bullgarisë janë ngritur nga procedurat e Parlamentit Evropian, por ne, siç e kemi thënë qartë në Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë, nuk ndërhyjmë në punët e brendshme, nuk kemi ndërhyrë deri më tani”, tha Zaev.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Zaev nuk përmendi çështjet e gjuhës, identitetin dhe aspektet historike, që janë çështje kryesore të bllokimit të Bullgarisë.

Bullgaria dëshiron që Shkupi të pranojë se identiteti dhe gjuha maqedonase kanë rrënjë bullgare. Sofja, kërkon që gjuha e folur nga maqedonasit të quhet “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Shkupi këmbëngul se maqedonishtja është një gjuhë e veçantë sllavo-jugore.

Bullgaria gjithashtu kërkon që fqinji i saj të heqë dorë nga pretendimet se në Bullgari ekziston një pakicë e veçantë maqedonase.

Pa u zgjidhur këto çështje, Bullgaria nuk do të lejojë çeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>