
Kryeministri Edi Rama po kritikohet ashpër për votën e Shqipërisë në favor të rezolutës së OKB kundër vendimit të Presidentit Trump për të lëvizur ambasadën e SHBA-ve në Jeruzalem.
Mbështetja e Shqipërisë për rezolutën është kundërshtuar gjerësisht nga opinion publik dhe është dënuar nga partitë opozitare.
Të enjten, gjatë një interviste në emisionin Opinion, kreu i opozitës Lulzim Basha e quajti votimin e Shqipërisë “një gabim të rëndë”, duke deklaruar se vota ishte një largim nga tradita e kaluar e votimit në përputhje me qëndrimet e SHBA në çështjet ndërkombëtare.
Ai u shpreh se vendimi i Qeverisë Rama për të votuar kundër qëndrimit të SHBA-së “shkon kundër interesit të Shqipërisë”, duke shtuar se “interesat kombëtare të shqiptarëve gjithmonë janë mbështetur dhe avancuar nga SHBA, të cilat janë dhe do të mbeten partneri më strategjik i Shqipërisë”.
Zot Basha, i cili ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme kur Shqipëria u bashkua me NATO-n në 2009, pohoi se pa angazhimin amerikan dhe mbështetjen e SHBA-ve, Shqipëria nuk do t’i bashkohej NATO-s.
“Është gjithashtu bindja ime e thellë se pa SHBA-të, Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur sot,” tha z. Basha.
Udhëheqësi i LIBRA, Ben Blushi, ishte gjithashtu shumë kritik, duke e quajtur votën e Shqipërisë një shërbim që Kryeministri Rama po i bën presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.
” Duke mos qenë as strategjike dhe as parimore vota kundër SHBA i vlen më shumë Turqisë se Shqipërisë dhe kjo është edhe më e rëndë më e shëmtuar dhe shumë më e padrejtë”, tha zoti Blushi.
Në të vërtetë, shumë analistë dhe politikanë besojnë se arsyeja kryesore për votimin e Shqipërisë kundër pozicionit tonë është marrëdhënia personale e Kryeministrit Rama me Presidentin Erdogan, i cili është aleati kryesor i zotit Rama dhe një mik i tij ingushtë.
Ky fakt nuk i shpëtoi zotit Basha, i cili gjatë intervistës së tij rikujtoi se ky votiminë OKB ishte hera e dytë që qeveria e Ramës kishte votuar në favor të një rezolute turke kundër vendimit të Presidentit Trump.
Më 13 dhjetor, Shqipëria mori pjesë në takimin e jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, thirrur nga Presidenti Erdogan në Stamboll për të dënuar vendimin e Presidentit Trump për Jeruzalemin. Në fund të takimit, Shqipëria u bashkua me të gjithë pjesëmarrësit e tjerë që votuan në favor të një rezolute turke, e cila deklaroi Jerusalemin Lindor kryeqytetin e Palestinës dhe denoncoi vendimin për të lëvizur ambasadën amerikane në Jerusalem.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho, një kritik i politikës së jashtme të qeverisë, shprehu të njëjtin mendim gjatë një interviste për RaportTv: “Mendon se Turqia nuk e ka konsultuar me ata [qeveria shqiptare] për një votë kundër SHBA? Votë e imponuar nga Turqia? Jo, është bërë me dëshirë, jo me imponim”.
Duke komentuar pretendimin e qeverisë se votimi ishte kushtëzuar nga qëndrimi i BE-së, zoti Basha tha se BE nuk e ka kushtëzuar vullnetin e Shqipërisë. Në fakt BE nuk ka një politikë të përbashkët të jashtme dhe disa anëtarë të saj, duke përfshirë Hungarinë, Poloninë, Republikën Çeke, Rumaninë dhe Kroacinë, abstenuan gjatë votimit të së enjtes në OKB.
Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Kastriot Islami, në një koment të gjatë tek Syri.net, analizoi votat e Shqipërisë në OKB, duke pretenduar se në të gjitha rastet kur ka pasur pozitë të kundërta mes SHBA dhe BE, Shqipëria ka votuar në favor të pozicioni amerikan (kur vendet e BE nuk kishin një qëndrim të unifikuar) ose ka abstenuar (në rastet kur BE kishte një qëndrim të unifikuar kundër SHBA).
Votimi i Shqipërisë u kritikua gjithashtu nga presidenti i vendit, Ilir Meta, i cili zbuloi se vendimi nuk u konsultua, as nuk e dinte për votimin, duke nënkuptuar se votimi ishte një vendim personal nga Kryeministri Rama. Dy anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të parlamentit konfirmuan se komiteti i tyre nuk u konsultua apo u informua për votimin.
Ish ministri i brendshëm Dritan Demiraj, i cili gjithashtu ka shërbuer në disa misione të udhëhequra nga SHBA në Irak dhe Afganistan, e quajti zgjedhjen e Shqipërisë një votim të turpshëm kundër “vlerave të lirisë dhe demokracisë”. Në një postim në Facebook, ai kritikoi Ambasadën Amerikane në Tiranë duke deklaruar se votimi shqiptar ishte gjithashtu “një dështim i misionit diplomatik amerikan në Tiranë”.