Menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, Partia Komuniste Italiane, e mbetur jetime pas rënies së komunizmit, nisi transformimin e saj në diçka më pak demode. Në një kongres të mbajtur qëllimisht për rilindjen e saj, linja “reformatore me qëllim demokratik” fitoi me një mazhorancë prej 99 për qind. Menjëherë, lideri i atëhershëm i socialistëve italianë, Bettino Kraksi, kundërshtar i betuar i Partisë Komuniste italiane, e ironizoi “kthesën demokratike” të saj duke e cilësuar votën e kongresit “mazhorancë bullgare”, duke iu referuar rezultateve plebishitare të Kongresit së Partisë Komuniste Bullgare, deri atëherë aleati me besnik i Bashkimit Sovjetik.
Kjo batutë fine, e përforcuar nga fama dhe autoriteti i Kraksit, qarkulloi goje pas goje mes gjithë atyre që kishin qenë gjithmonë antikomunistë, hapi një plagë të thellë në besimin e “komunistëve demokratë” dhe hyri, përgjithmonë, në fjalorin politik italian: qysh nga ajo kohë, në gjuhën e përditshme mbiemri “bullgar” ka një kuptim tejet negativ, të diçkaje madhore por qesharake, absurde, fanatike, tmerrësisht të gabuar, tepër hipokrite.
Madje as zgjedhja kryeministër në Bullgari e ish-mbretit Simeone—i rritur dhe edukuar në Itali, i moderuar dhe sinqerisht demokratik, mik i mirë i Italisë—nuk arriti ta fshijë këtë kuptim negativ në perceptimin e italianëve, me gjithë respektin e mirë ndaj popullit të pafajshëm bullgar.
Në të njëjtën mënyrë, në ditët e shkuara, deputetja socialiste franceze Aurelie Filippetti—ish-ministre e Kulturës—duke debatuar me Presidentin Hollande, i përkufizoi zgjedhjet e brendshme për drejtuesin politik të Partisë Socialiste Franceze, të kërkuara nga Hollande me një kandidat të vetëm, “zgjedhje alla shqiptare”, duke ironizuar kështu mbi zgjedhjet partiake shqiptare, praktikisht, me një kandidat.
Ndoshta Aurelie Filippetti nuk ka të njëjtën karizëm me Betino Kraksin, por, gjithesesi, fakti se si ajo edhe bashkëshorti i saj, Arnaud Montebourg, janë politikanë të njohur e ish ministra (respektivisht të kulturës e ekonomisë) garanton vizibilitet dhe ndikim. Ndaj kjo batutë mbi konceptet qesharake demokratike të Shqipeërisë mund të gdhendë në kokën e francezëve, të cilët mbeten gjithmonë bij të Revolucionit, një mendim negativ për Shqipërinë që mund të duhen vite për ta shlyer.
Aspekti ironik e paradoksal është se në Tiranë Kryeministri Rama e ka shitur “modelin francez” si burim të përhershëm frymëzimi të tij, nga urbanistika e “planit francez”, tek netët e bardha franceze, tek kultura e muzeumeve nëpër bunkerë; por ish-ministrja franceze ka treguar se sa pak konsideratë kanë francezët për imituesit fallco të vlerave të tyre të vërteta.