Zgjedhjet në Kosovë, listat e hapura efikase në përfaqësimin e qytetarëve

Nga Exit News
Zgjedhjet në Kosovë, listat e hapura efikase në përfaqësimin e qytetarëve

Gjatë katër zgjedhjeve të fundit në Kosovë, rreth një e treta e deputetëve janë përcaktuar nga preferencat e qytetarëve dhe jo nga renditja e partisë në lista.

Sistemi i zgjedhjeve në Kosovë funksionon me lista të hapura, pra qytetarët përveç partisë zgjedhin edhe kandidatin e preferuar.

Sipas të dhënave të përpunuara nga emisioni “Me Pak Fjalë”, rezulton se listat e hapura kanë funksionuar.

Konkretisht, në zgjedhjet e vitit 2010, 48% e deputetëve janë zgjedhur nga preferenca e qytetarëve.

Pra pothuajse gjysma e deputetëve kanë kapërcyer renditjen e përcaktuar nga partia dhe kanë marrë mandatin pasi janë votuar drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Për shembull, në vitin 2017 partia Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 29 mandate. Vetëm 19 nga kandidatët fitues ishin në 29 emrat e parë të listës së LDK-së, ndërsa 10 të tjerë u zgjodhën pasi kishin marrë më shumë vota. Vjosa Osmani ishte renditur e 81-ta në listë por ishte kandidatja e dytë më e votuar.

Kjo tregon se të zgjedhurit nuk janë të varur nga vendi që i përcakton në listë kryesia e partisë por mandati i tyre mund të vijë duke u zgjedhur drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Efikasiteti i listave të hapura ka ardhur duke u ulur gjatë zgjedhjeve pasuese. Në 2014 ishte 40%, në 2017 26%, ndërsa në 2019 ishte 33%.

Një nga arsyet përse listat e hapura kanë rezultuar efikase në Kosovë është sepse qytetarët kanë mundësi të zgjedhin pesë kandidatë në fletën e votimit.

Kosova ka sistem zgjedhor proporcional kombëtar që do të thotë se i gjithë vendi është një zonë zgjedhore. Qytetarët votojnë për një parti dhe 5 nga 110 kandidatët e asaj partie.

Në Shqipëri, votuesit mund të zgjedhin vetëm një kandidat duke ulur kështu mundësinë e të tjerëve për të marrë mandatin e deputetit megjithëse nuk renditen në krye të listës.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>