Vendosëm të tërhiqemi në emër të paqes. Vendosëm të heqim dorë nga vlerat tona për të shmangur gjakderdhjen.
Sot na mungon një figurë si Uinston Çurçill, me puron dhe vetullën e ngrysur, i cili na qorton apo paralajmëron për atë ç’ka do të ndodhë. Sot askush nuk na ulëret se “ju dha mundësia të zgjidhnit mes turpit dhe luftës, zgjodhët turpin dhe do keni luftën”.
Asokohe kishim nazistët. Marrëveshjet e arritura në Mynih të Bavarisë, në fund të shtatorit 1938, duhet ta kishin shmangur konfliktin ndërkombëtar, në kurriz të nderit. E megjithatë e paguan shtrenjtë: duke iu përkulur plotësisht diktatit hitlerian.
Të humbësh nderin është më mirë se të luftosh, — duhet të kenë menduar Édouard Daladier, përfaqësuesi i delegacionit francez, dhe kryeministri britanik Neville Chamberlain, fatmirësisht i zëvendësuar pas pak kohe nga Çurçilli i ashpër.
Daladier dhe Chamberlain u gabuan sepse, pavarësisht heshtjes së tyre në Konferencën e Mynihut, lufta shpërtheu.
“Zgjodhën turpin, tani do kenë luftën”. Një nga profecitë më të përmbushura në histori.
Sot, kemi islamikët dhe nuk janë më të tremburit dhe të heshturit Daladier dhe Chamberlain. Por kemi Federica Mogherinin që shpërthen në lot përballë mikrofonave, duke ndjerë peshën e një “ditë të keqe për Evropën”, sikurse e quajti vetë. Është një ditë e keqe, vërtetë, sepse terroristët islamikë e goditën Evropën në zemrën e saj, në Bruksel, kryeqytetin teorik. Ndoshta ka qenë edhe ky fakt që e ka emocionuar në veçanti përfaqësuesen e lartë të punëve të jashtme të BE-së, e cila i ka ndjerë këto atentate më “pranë” vetes në krahasim me ato të Parisit.
Ishte e gabuar zgjedhja për të mos luftuar terrorizmin islamik, qoftë Isisin, Al Qaedën apo Hezbollahun. Ishte e gabuar bërja e disa aleancave strategjike, përzgjedhja mes palëve, mendimi se mund të bësh biznes me shtete që nuk respektojnë as të drejtat më thelbësore të njeriut. Ishte e gabuar sepse lufta shpërtheu gjithsesi edhe pse e njëanshme.
BE zgjodhi të turpërohet, por nuk arriti të shmangë gjakderdhjen.
Dhe mori luftën.
BE zgjodhi turpin kur vendosi të mos etiketojë si izraelite produktet që vinin nga territoret e pushtuara nga Izraeli, kur i lejoi një terroristi të arratisur të strehohej katër muaj në një lagje të Brukselit e kthyer tërësisht në lagje myslimanësh, kur mendoi se Arabia Saudite dhe Katari mund të ishin aleatë të besueshëm dhe kur vendosi t’i nxjerrë sytë Iranit.
BE zgjodhi turpin kur vendosi të financonte për vite të tëra Fatah-un, në teori një formacion politik më i moderuar se Hamas, por realisht diçka krejt tjetër, kur dërgoi para në Gaza dhe Jordani sepse palestinezët kishin nevojë për shkolla dhe spitale edhe pse ndërtonin tunele dhe platforma për lëshimin e raketave.
Gazetat tona zgjedhin turpin kur shkruajnë “të vrarët palestinezë” duke harruar të shkruajnë “terroristët” ose të paktën “sulmuesit”, duke nxitur kështu opinionin publik që e sheh Izraelin si simbol të kolonializmit të të bardhëve të këqij perëndimorë e që, në një mënyrë apo në një tjetër, justifikon egërsinë apo zhgënjimin e myslimanëve të shtypur.
Të gjithë ne zgjodhëm turpin, kur patëm frikë të flisnim, sepse fjala magjike “islamofobi” nuk tingëllon si antifashizëm apo antinazisëm, por lë pas një shije politikisht të gabuar, ksenofobe, pak gjithëpërfshirëse apo liberale, shumë pak progresive. Nuk është luftë kundër një ideologjie vdekjeprurëse, por intolerancë kundrejt një feje që nuk na përket.
Islami është feja e atyre që vijnë nga larg, është e njëjta fe e refugjatëve që largohen nga luftërat. Është feja e paqes dhe nuk duhet të ngatërrohet me terrorizmin. Kurani është një libër i shenjtë.
Me këto justifikime na bindën se xhihadismi nuk është veçse një degjenerim. Pranuam të transformojmë lagje të tëra në geto myslimanësh, madje duke lejuar përhapjen e antisemitizmit dhe mizogjinisë në vende si Zvicra, të kujdesshme ndaj të drejtave civile.
Deklasifikuam masakrat e Parisit si “hakmarrje” kundër satirës tepër blasfeme apo stilit perëndimor të jetesës, tej mase “bohemian”, u dorëzum duke i pranuar si “normale” atentatet në sinagoga apo supermarketet kosher, sepse dihet që midis myslimanëve dhe hebrenjve marrëdhëniet nuk kanë qenë fort të mira. Falëm përdhunimet e Këlnit sepse dihet që gjatë festës së vitit të ri të gjithë dehen nga pak dhe këtyre grave, për ta thënë shkurt, ia kishte pak qejfi.
Shohim nëpërmjet dylbive Lindjen e Mesme dhe nuk na shqetëson ajo ç’ka i ndodh hebrenjve, jazidëve, kurdëve dhe as masakrat midis sunitëve dhe shiitëve.
Nuk na shqetëson as intifada e thikave në Izrael.
Nuk e kuptojmë se jemi të zhytur deri në grykë sepse zgjodhëm turpin. Zgjodhëm të heqim dorë nga vlerat tona, duke besuar se e bëmë në emër të këtyre vlerave. Një paradoks. Por shpjegimi është i thjeshtë: zgjodhëm të mos luftonim dhe të shmangnim kështu gjakderdhjen, sepse nuk e donim luftën.
Uinston Churchill dinte ç’thoshte.