Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se do të largohet nga politika pas përfundimit të mandatit të dytë në krye të qeverisë.
Në një intervistë për Kurir, Zeav është shprehur se një kryeministër nuk duhet të shërbejë më shumë se dy mandate, pasi rrezikon të kthehet në autokrat.
“Kryeministri duhet të shërbejë për një maksimum prej dy mandatesh, sepse ekziston rreziku që ai të bëhet një autokrat përmes kësaj. Është rrezik kudo, por veçanërisht në Ballkan”, tha Zeav.
Ai shtoi ndër të tjera se është në të mirë të vendit që të vijnë njerëz të rinj në politikë.
Pas përfundimit të karrierës politike, Zeav tha se do të kthehet të punojë për biznesin e familjes së tij siç kishte bërë para se të futej në politikë.
“Politika është ves, është e vështirë të hysh e të dalësh. Por, sigurisht, është një nder i madh të jesh kryeministër i vendit tënd,” ka thënë Zaev.
Zaev është kryeministër i Maqedonisë së Veriut prej vitit 2017.