Votuesit zviceranë miratuan me shumicë të ngushtë të dielën një propozim për të ndaluar mbulimin e fytyrës.
Kjo përfshin si nikabet dhe burkat që mbajnë disa gra myslimane, edhe maskat e skive dhe bandanat e përdorura nga protestuesit.
Masa do të nxjerrë jashtë ligjit mbulimin e fytyrës në vende publike si restorante, stadiume sportive, transport publik ose në rrugë.
Ajo parashikon përjashtime në vendet fetare dhe për arsye sigurie ose arsye shëndetësore, të tilla si maskat për fytyrën që njerëzit i mbajnë për tu mbrojtur nga COVID-19, si dhe për festimet tradicionale të Karnavaleve.
Autoritetet kanë dy vjet kohë për të hartuar legjislacionin e detajuar.
Dy kantone, ose shtete zvicerane, Ticino dhe St. Gallen, tashmë kanë legjislacion të ngjashëm që parashikon gjobitje për shkeljet.
Legjislacioni kombëtar do ta vendosë Zvicrën në nivele me vende si Belgjika dhe Franca, që kanë miratuar masa të ngjashme.
Qeveria zvicerane e kishte kundërshtuar masën si të tepruar, duke argumentuar se mbulimi i plotë i fytyrës është një “fenomen i papërfillshëm “.
Ajo argumentoi se ndalimi mund të dëmtojë turizmin – shumica e grave myslimane që veshin mbulesa të tilla në Zvicër janë vizitorë nga shtetet e Gjirit Persik, të cilët shpesh tërhiqen nga qytete zvicerane buzë liqenit.
Mbështetësit e propozimit argumentuan se mbulimi i plotë i fytyrës simbolizojnë shtypjen e grave.Masa, si rrjedhim, quhet e nevojshme për të mbështetur një parim themelor, që fytyrat duhet të shfaqen në një shoqëri të lirë si ajo e Zvicrës.
Si përfundim, 51.2% e votuesve mbështetën propozimin. Kishte shumicë kundër në 6 nga 26 kantonet e Zvicrës – mes tyre ato që përfshijnë tre qytetet më të mëdha të vendit, Cyrihun, Gjenevën dhe Bazelin dhe kryeqytetin Bern.
Televizioni publik SRF raportoi se votuesit në disa destinacione të njohura turistike përfshirë Interlaken, Lucerne dhe Zermatt, e refuzuan idenë.
Përkrahësit përfshinin Partinë Popullore nacionaliste zvicerane, e cila është më e forta në parlament.
Komiteti që nisi propozimin drejtohet nga një ligjvënës nga kjo parti, Walter Wobmann. Ai gjithashtu nisi një ndalim mbi ndërtimin e minareve të reja në 2009, të cilën votuesit e miratuan.
Një koalicion i partive me prirje të majta, që kundërshton propozimin, vendosi pankarta përpara referendumit që lexojnë: “Absurde. E padobishme. Islamofobe ”.