Zylot

Nga Edlira Trako
Zylot

Kushdo që ka lexuar “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, ka të paktën një pikë referimi për të krahasuar një pjesë të mirë të punonjësve të administratës në Shqipëri.

Njerëz të vetëkënaqur, të cilët shfrytëzojnë ofiqin deri në pikën e fundit, sidomos në atë qendrim grotesk e qesharak prej të rëndësishmi apo siç rëndon themi “të madhi”. Ata janë pothuajse një prerje, hiça të kaparosur, arrogantë, monosens, të veshur me rroba të shtrenjta, që kushtojnë sa gjithë buxheti i sektorit ku punojnë. Por që nuk iu shkojnë, shpesh me ndonjë unazë të trashë floriri me ndonjë gur të madh, e cila gjithmonë më ka ndjellë një neveri sepse mesazhi që marr për atë njeri është se ka një mendësi feudale dhe shije estetike a’la imam ballajdi. Dhe s’kam dalë ndonjëherë huq!

Deri këtu, mund të më kryqëzoni, që kërkokam që zyrtarët shtetërorë të kenë një kod veshjeje të rregullt dhe deri diku modest. Në fund të fundit, jemi një vend shumëngjyrësh, me një të shkuar të gjatë feduale – nuk jam e bindur nëse periudha feudale ka mbaruar po nejse. Dhe që të përftojmë një kulturë të re, sidomos në lëmin zyrtar ku jemi ende ne fazat e eksperimentimit te sjelljeve të atyre që Konica i quajti “Levantine” dhe që i referohejë atyre sjelljeve pseudodelikate e mondane, qesharake dhe të panevojshme të atyre që për shkak të ndonjë baxhanaku, krushku apo zarfi kishin njëfarë pozite dhe kishin, si të themi filluar të rafinonin (gabim) sjelljen e tyre.

Nuk kam për ta harruar kurrë se si një e njohura ime u apasionua shumë pas Gustav Klimt (një piktor austriak) sepse kishte kaluar dy orë transit në aeropotin e Vjenës ku kishte blerë aty një shall në të cilin ishte printuar piktura e tij e famshme “Puthja”. Dy orët transit në Vjenë i kishim mjaftuar të njohurës sime t’i farkëtonin dijen e thellë mbi kulturën dhe artin austriak. Ngjyrat, format, filozofinë. Sa mallëngjyese!

Ndërkaq, duke u kthyer tek Zylot me unaza të trasha me gur, një të tillë më ra rasti të takoja pak ditë më parë. Ky ishte Zylo i vogël dhe më duhej t’i komunikoja një vendim, i cili ishte në interes të institucionit të tij, ndaj ai duhej të tregohej në mos entuziast, të paktën i interesuar për këtë gjë. E lë takimin me telefon pasi, emailit tim nuk iu përgjigj kurrë. Njëherë më thotë se takimi do të zhvillohet në zyrat e institucionit të tyre, pastaj më thotë, me një ton të zvarritur “dëgjo, takohemi më mirë te kafja aty poshtë se e kam më mirë”. Ok, takimi ishte me 10, shkoj tek kafja me 10 pa 5. Ulem, vjen kamarieri; te lutem pak më vonë i them se po pres dikë. Shkon ora 10.10, njeriu nuk duket. Shkon ora 10.15, ndërkohë përbrenda fillon të më djegë stomaku. Hiç. E marr ne telefon. “O tha, aty je ti, ja erdha erdha erdha. Ciao, ciao”. – pa koment.

Vjen, me zgjat dorën mu sikur kish çliruar lokalin, instutucionin e vet, lagjen ku ishte institucioni dhe qytetin a fshatin nga kishte ardhur para se të bëhej i madh në Tiranë. U ul sikur po më bentë një nder të madh që po ulej aty. Nis të flas duke i nxjerrë letrat zyrtare përpara. Për 5 min u morë vetëm me telefonin, shkruante mesazhe, ajo bip bip e viberit po më godiste damarin e durimit brenda kokës pa pushim. Më në fund e la telefonin, vazhdova me shpërfillje por sidoqoftë duke i shpjeguar hapat që duhet të ndiqnin për të përfunduar çështjen në fjalë. Shikimi i tij ishte bosh, domethënë po të shihje tek sytë e tij të dukej sikur shihje murin prapa kokës së tij. Në mes të shpjegimit i bie telefoni sërish. Pa thënë asgjë, asnjë gjest, më fal jo e jo, e merrë, e ve në vesh:

  • Aaaalo! Hë! Mirë mirë mirë, i thuaj atij do ia dërgoj pastaj. Po le të vijë o burrë. Po mirë. Hajde hajde ciao ciao.

Isha në kufijtë e durimit me këtë thes me rroba dhe unazë të trashë që kisha përpara. Ndaj po zihesha me veten nëse duhej ta djallosja atë takim dhe të kërkoja ta zgjidhja punën time me eprorin e vet, apo të vija bast me veten që do ia dilja ta çoja punën deri në fund. Ndaj për ta pickuar pak vemendjen e tij e pyes:

  • Mendoni se do mundeni ta shtyni praktikën përpara apo duhet t’i bëjmë një shkresë drejtorit tuaj të madh?

Ah! Aty fytyra e tij u çel. Sytë nisin t’i xixëllonin dhe ishte tërësisht në kontakt me çdo fjalë që po i thoja.

  • Jo! – tha – drejtori e ka prioritet kete çështje dhe ne do bëjmë maksimumin tonë. Ja ta marrë në telefon dhe t’i them!

E merr prapë telefonin për të telefonuar drejtorin e madh! Drejtori i madh iu përgjigj pas nja gjashtë zileve. Nga altoparlanti i telefonit u dëgjua:

  • Hë!

Njeriu përballë meje cicëronte si zog entuziast teksa i shpjegonte drejtorit të tij të madh se si institucioni i tyre do të përfitonte diçka. Se si njeriu në fjalë ishte në takim me përfaqësuesen dhe ia kishte dalë ta shënonte këtë sukses dhe se si duhet të ndiqnin një procedurë të fundit për ta përfunduar. Nga ana tjetër e telefonit u dëgjua:

  • Mirë, mirë mirë, i thuaj atyre do iu a çojmë nesër. Hajde, hajde, ciao ciao!

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>