Derbi i kryeqytetit Partizani-Tirana do të luhet në Stadiumin Kombëtar. Lajmi është njoftuar përmes një postimi në Facebook nga klubi 16 herë kampion i Shqipërisë, i cili kishte paraqitur kërkesë që prej 22 nëntorit.
Njoftimi i klubit nuk shoqërohej me specifikime konkrete si për shembull çmimi i biletave ndërkohë që koha nuk premton shumë për organizime. Për shkak të bisedimeve të zgjatura me FSHF-në, dakordësia për të luajtur në Stadiumin Kombëtar u arrit vetëm sot.
Nuk ka raportime se sa është çmimi i qirasë, apo se për sa ka qenë dakordësia mes Partizanit dhe FSHF-së, por kjo pritet të jetë ndeshja e tretë zyrtare në Stadiumin Kombëtar, pas përballjes Apolonia-Vllaznia për vajza dhe Shqipëri-Francë për Euro 2020.
Ndeshja Partizani-Tirana luhet më 13 dhjetor ora 19:00 dhe pritet të jetë delicate për fatet e kampionatit. Partizani kryesues me 25 pikë, humbi ndeshjen e fundit 2-1 me Bylisin. Telushin u ndëshkua edhe me karton të kuq dhe diferenca me ndjekëset është shumë e ngushtë.
Kukësi, Bylisi, Laçi dhe Teuta kanë nga 24 deri në 22 pikë.
Ndërsa Tirana po kalon një moment të vështirë, pasi ka 4 javë pa fitore dhe ndodhet në vendin e 8-të. Bardheblutë, 24 herë kampionë, nuk e fitojnë derbin me Partizanin prej vitit 2014.
Problemet me stadiumin
Çështja e stadiumit për Partizanin u bë problem pas shembjes së Qemal Stafës në vitin 2016. Klubi u detyrua të luajë në Kompleksin Sportiv në Kamëz dhe madje edhe në stadiumin e Tiranës, Selman Stërmasi. Vendimi i Bashkisë Tiranë për t’i lejuar Partizanit të luante atje u prit keq nga tifozët e Tiranës, pasi ai u mor pa u marrë parasysh pëlqimi i tifozëve.
Vlen të thuhet se pas shembjes së Qemal Stafës, FK Partizani u shpërblye nga qeveria me 37 mijë metra katrorë tokë në verilindje të Tiranës. Toka e ish-Repartit Ushtarak Nr.4030 në Tufinë iu dha Partizanit për 20 vjet për 1 euro me detyrimin që klubi të investonte së paku 1,6 milionë euro (200 milionë lekë) për zhvillimin e një kompleksi sportiv.
Premtimet për stadium
Rreth 4 vite më vonë Partizani nuk ka ende stadium. Projekti fillestar i klubit ishte që të ndërtonte një kompleks me stadium rreth 5,000 vendesh, hotel dhe qendër stërvitore me kosto totale rreth 5 milionë euro, por punimet janë ndërprerë dhe rinisur disa herë duke mos u përmbyllur ende.
Premtimet nga Presidenti Demi kanë qenë që stadiumi të jetë gati sezonin e ardhshëm, por kjo vështirë të ndodhë.