Partia Demokratike takoi, të martën, familjen Konini në Kombinat, shtëpia e të cilës është dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kostandina Konini i tregoi zëdhënesës së PD-së Ina Zhupa se kur kanë kaluar 10 muaj nga tërmeti, ai dhe fqinjët e tij ende nuk e dinë nëse pallati ku banojnë do të shembet apo jo.
Sipas Koninit, ekspërtët e Institutit të Ndërtimeve e kanë vlerësuar pallatin ku banon ajo si të dëmtuar në nivelin DS4 dhe kanë thënë se ai duhet të shembet. Por banorja thotë se nuk kanë asnjë document nga bashkia apo shteti që qartëson vërtetë vendimin që është marrë për pallatin e tyre:
“Na kanë thënë që do prishet, asnjë gjë konkrete nuk kemi. Llafe poshtë e lartë, dëgjojmë shumë gjëra. Se na thonë jo do ju çojmë andej, jo do të ju çojmë këtej. Sot është data 1 ishalla marrim ndonjë përgjigje konkrete…”
Në videon e publikuar nga PD, duket se apartamenti i familjes Konini është dëmtuar rëndë, por familja vazhdon të mos e dijë se çfarë do të bëhet me shtëpinë e tyre.