10 tezat jo-populiste ose humbëtira e elitës sonë intelektuale

Nga Johannes Estrada
10 tezat jo-populiste ose humbëtira e elitës sonë intelektuale

Disa profesorë të Universitetit Europian të Tiranës—biznes fitimprurës arsimor—publikuan para disa ditësh një dokument të quajtur “pakti për reformizmin”, i cili përmban dhjetë të ashtuquajtura “teza jopopuliste”, të cilat sipas tyre “do të plotësonin ciklin reformues të 25 viteve të tranzicionit”.

Që në hyrje të dokumentit, profesorët janë shprehur  se arsyeja kryesore që i ka nxitur për të hartuar këto propozime është fakti se Shqipëria vuan nga problemi i populizmit. Megjithatë, ata nuk shpjegojnë se çfarë kuptojnë me “populizëm”—në fakt i gjithë dokumenti është i mbushur me terma të dyshimta dhe bombastike, tipike për materiale propagandistike, larg gjuhës akademike apo asaj serioze politike.

Ne mund të marrim me mend se me “problem të populizmit” profesorët mund të nënkuptojnë se politikanët shqiptarë ndërmarrin politika dhe vendime që kanë për qëllim kënaqjen e kërkesave të menjëhershme të masave të votuesve, por që nuk janë të shëndosha për të sjellë zhvillimin dhe përparimin afatgjatë të vendit.

Profesorët nuk sjellin asnjë arsye apo dëshmi pse mendojnë që populizmi është problem për vendin, aq më më tepër kur pothuajse të gjitha studimet, analizat dhe raportet serioze nga të gjitha llojet e burimeve, vendase dhe ndërkombëtare, pohojnë me fakte dhe arsyetime të shëndosha se në fakt Shqipëria vuan kryesisht nga e kundërta e populizmit: politikat oligarkike, qeverisja në shërbim të një pakice në kurriz të shumicës, pra të popullit.

Për të krijuar një ide për këtë mjafton një vështrim sipërfaqësor i disa politikave të fundit të qeverisë, të cilat janë ndërmarrë pavarësisht kundërshtimit të hapur popullor, si ligji për arsimin e lartë, ligji për importin e plehrave, vendimet për ndërtime hidrocentralesh dhe një sërë projektesh të tjera të dëmshme për mjedisin.

Do mjaftonte kjo premisë tërësishit e pasaktë dhe keqdrejtuese mbi të cilën janë ngritur tezat, për të mos i marrë ato seriozisht.

Por tezat e profesorëve duhen lexuar për një arsye tjetër: si shembulli si nuk duhet të përfshihen akademikët në debatin publik. Pakti i propozuar prej tyre është një punë shkel e shko, pa asnjë pohim të bazuar mbi arsyetime, studime apo analiza, me mungesë të thellë informimi mbi problemet e vërteta të vendit dhe me mungesë tërësore koherence mendore duke qenë se tezat bien në kundërshti logjike me njëra-tjetrën.

Më poshtë ato shqyrtohen shkurtimisht një nga një.

Propozimi i parë është krijimi i një senati si dhomë e dytë e Kuvendit. Profesorët gjykojnë se Shqipëria vuan nga mungesa e balancimit të pushteteve, problem të cilin, sipas tyre, do ta zgjidhte një senat i cili “nuk nxjerr jashtë sistemit vlerat e elitës politike”. Pa u marrë me mishmashin leksik të këtij pohimi të fundit dhe pa i hyrë vlerave të elitës politike të vendit—më së shumti vlera jodemokratike dhe të korruptuara moralisht—është e vërtetë se balancimi i pushteteve është mangësi e pranuar nga të gjithë.

Por teksa profesorët shohin si zgjidhje senatin, për thuajse të gjithë vëzhguesit dhe studiuesit e tjerë, problemi kryesor qëndron tek autokracia partiake. Deputetët de facto emërohen si vullnet vetjak nga kryetarët e partive, çfarë e bën të pamundur që ata pastaj të kontrollojnë qeverinë e kryesuar nga kryetari i tyre, nga i cili varet karriera e tyre politike. Kjo ka sjellë situatën e zakonshme dhe të përhershme ku ekzekutivi dhe legjislativi kontrollohen nga i njëjti person, kryetari i partisë në pushtet.

Por profesorët nuk e kanë gjykuar si të rëndësishme këtë pikë. Në fakt duket sikur ata kërkojnë të zgjidhin një problem që nuk ekziston—problemin e ruajtjes së “elitës”. Por Shqipëria, në ndryshim nga demokracitë e zhvilluara, nuk ka problem ruajtjen e elitës politike, por problemin e kundërt, mos qarkullimin e saj. Karrierat e elitës sonë politike janë tej mase të gjata dhe senati, që propozojnë profesorët, do sillte veç një kalcifikim afatgjatë të saj, duke vështirësuar qarkullimin e drejtuesve politikë të vendit.

Propozimi i dytë kërkon financim më të mirë të jetës politike në vend—paga më të larta për politikanët e vendit, por edhe një shkurtim dhe rritje pagash për administratën publike. Kësisoj, pretendojnë profesorët, politikanët do kenë më pak incentivë të abuzojnë dhe administrata do jetë me efektive.

Një raport i Bankës Botërore tregon se në raport me prodhimin kombëtar për frymë Shqipëria ka paga të krahasueshme me vendet më të zhvilluara në botë. Raporti argumenton, gjithashtu, se vendet me pagesa më të larta për administratën publike janë vende problematike, si ato afrikane apo amerikano-latine. Së fundmi, raporti tregon se vendet e zhvilluara kanë më shumë, jo më pak, administratë publike për shkak se shteti ofron gjithmonë e më shumë shërbime për qytetarët.

Duhet shtuar, gjithashtu, se funksionarët tanë publikë shqiptar paguhen krahasimisht—referuar të ardhurave për frymë—në të njëjtin nivel ose edhe më lartë se homologët e tyre në vendet e zhvilluara.

Megjithëse, këto të dhëna rrëzojnë pretendimet e profesorëve—është e kuptueshme që ato mund të interpretohen në shumë forma, mbi të gjitha duke u përpjekur të identifikohet lidhja shkak-pasojë.

Gjithsesi, është e qartë së profesorët e kanë formuluar këtë “argument” pa bërë ndonjë hulumtim intelektual, siç do duhej të bënin dhe siç do u kishte hije, por kanë përfunduar në deklarata “populiste”—ironi poetike kjo, nisur nga fakti se profesorët i kanë formuluar tezat e tyre si revoltë ndaj populizmit.

Propozimi i tretë kërkon legalizimin e lobimit “pa kufizime”. Profesorët në këtë pikë dëshmojnë mungesë njohurish elementare politike dhe ekonomike, teksa shprehen se “ka një kompleks në shoqërinë shqiptare, për të pranuar ndikimin e drejtë e të ligjshëm në favor të interesit publik të grupeve të interesit”.

Ndryshe nga ç’pretendojnë ata, grupet e interesit nuk përfaqësojnë as teorikisht dhe as praktikisht interesin publik, por interesin privat të individëve apo grupeve të ngushta; çdo favor dhe lehtësi ndaj një grupi interesi është automatikisht kufizim apo dëm i interesit publik, pasi qëllimi kryesor i grupeve të interesit është fitimi i privilegjeve që ata nuk i sigurojnë dot përmes mekanizmave të tregut apo atyre të votës.

Përtej këtyre mangësive të thella konceptuale të tyre, profesorët pretendojnë se lobimi është një proces që ka ndihmuar shtetet e zhvilluara dhe lejon komunikimin e grupeve të interesit me vendimmarrësit. Edhe në këtë rast duket se profesorët nuk bëjnë paralele të sakta. Lobimi është rreptësisht i rregulluar dhe i kontrolluar në demokracitë e zhvilluara—pra këto vende kanë hartuar ligje të posaçme për të kufizuar dhe bërë transparente kontaktet dhe marrëdhëniet biznes-qeveri.

Për më tepër, ndryshe nga pretendimi përçmues që profesorët kanë për shoqërinë shqiptare, që për ta është aq e prapambetur sa nuk “pranon” dot të mirat e lobimit, e vërteta është se lobimi shikohet si gjë e keqe edhe nga amerikanët, francezët, gjermanët, anglezet e të gjitha shoqëritë perëndimore. Për këtë arsye lobimi dhe lobistët janë objekt i vazhdueshëm i kritikave dhe i përpjekjeve të vazhdueshme për të kufizuar ndikimet e tyre negative në kurriz të interesit publik.

Mbi të gjitha, nuk është e qartë se çfarë problemi gjykojnë profesorët se po korrigjojnë, duke propozuar këtë “tezë” dhe çfarë mendojnë ata se do arrihet me përqafimin popullor të “lobimit”.

Propozimi i katërt dhe i pestë kërkon që qeveritë të kenë plane të mirëfillta për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe platformë punësimi. Kjo, sipas tyre, duhet të arrihet me krijimin një sërë planesh afatgjata për sektorë strategjikë të vendit. Është pak e vështirë të kuptohet se çfarë planesh kanë parasysh profesorët, por qeveritë shqiptare bëjnë rregullisht plane “strategjike” dhe “zhvillimore”.

Kështu për shembull ne kemi një strategji të zhvillimit kombëtar, e cila zhvillimin e qëndrueshëm e ka prioritet të rëndësishëm, kemi strategji për biznesin dhe investimet dhe praktikisht strategji afatmesme e afatgjata për çdo sektor tjetër. Kemi, gjithashtu, strategji dhe plane afatgjate për sektorët e lidhur drejtpërdrejt me burimet natyrore dhe mjedisin, përfshi një plan të integruar për mjedisin.

Ndoshta profesorët nuk kanë bërë hulumtime të mjaftueshme dhe nuk janë në dijeni të ekzistencës së këtyre planeve përderisa kërkojnë… plane. Gjithashtu, nuk dihet se çfarë mendimi tjetër mund të kishin profesorët për zhvillimin e qëndrueshëm nëse do kishin zbuluar se planet ekzistojnë.

Propozimi i gjashtë dhe i shtatë kërkon politika të qëndrueshme fiskale të mbështetur nga një taksë e sheshtë 12 përqind mbi kapitalin dhe të ardhurat, por e mbështetur nga politika preferenciale për identifikimin dhe mbështetjen e investimeve strategjike.

Më në fund profesorët kanë thënë diçka që shumëkush e pranon: ndryshimet e shpeshta fiskale në vend nuk janë pozitive. Nga ana tjetër, sikurse ata mendojnë, ka të dhëna dhe tashmë të besohet se një taksë e sheshtë për vendin do ishte një hap i duhur në këtë fazë të zhvillimit, aq më tepër që kjo politikë është zbatuar me sukses më përpara dhe nuk do të jetë risi me rrezik për efektet e pritshme.

Por profesorët duhet të shoqëronin propozimin me një arsyetim më të qartë për shifrën e zgjedhur 12 për qind. Për shembull, ka një propozim zyrtar prej shumë muajsh të opozitës për në taksë të sheshtë prej 9 për qind dhe ndoshta profesorët duhet të argumentonin pse 12 për qind është më mirë se 9 për qind.

Problemi kryesor i profesorëve në këtë pikë është propozimi i politikave preferenciale për projektet strategjike. Së pari, ka një kundërshti të madhe mes taksës unike të sheshtë nga njëra anë që kërkon largimin e politikës nga tregu, dhe politikave preferenciale nga ana tjetër. Së dyti, arsyeja pse propozohen taksa të tilla të sheshta për vende në zhvillim si i yni, më shumë se sa thjeshtësia apo nxitja e konkurrencës, është transparenca dhe eliminimi i mundësisë së përdorimit të pushtetit politik për të mbështetur interesat e bizneseve të preferuara.

Nga ana tjetër, raporte të gazetarisë investigative tregojnë se pikërisht ekzistenca e ligjeve për investimet strategjikë ka qenë burim i abuzimeve të rënda të pushtetit në vend.

Me sa duket, profesorët nuk i shqetëson mungesa e koherencës brenda argumentit të tyre dhe i gjykojnë si “populiste” kritikat që rëndojnë mbi investitorët strategjikë.

Propozimi i tetë vazhdon në të njëjtën frymë e kërkon fuqizimin e konkurrencës duke përmirësuar agjencitë publike që duhet ta mbikëqyrin atë. Megjithëse, Shqipëria i ka agjencitë publike respektive—më kryesorja ndër këto është Autoriteti i Konkurrencës— profesorët nuk propozojnë diçka konkrete se si mund të bëhet më efikas roli i tyre, veçanërisht kur shumë nga kompanitë apo sektorët e monopolizuar të vendit, edhe kur bëhen objekt raportimesh, përfitojnë shpejtë mbrojtje nga politikanët e vendit.

Profesorët duken se janë të painformuar edhe për dukurinë e njohur si “kapja regullatore” —entet rregullatore përfundojnë që u shërbejnë interesave tregtare apo politike të grupeve të interesit që dominojnë industrinë që ato duhet të rregullojnë. E thënë më shkurt: rregullatorët kapen nga interesat që ata duhet të rregullojnë, duke dëmtuar interesat e publikut.

Kjo dukuri është studiuar gjerësisht në ekonomi dhe ka fusha të posaçme të ekonomisë që studiojnë dhe analizojnë pikërisht ndikimin e institucioneve dhe ligjeve rregullatore në ekonomi. Profesorët e shpërfillin apo ndoshta nuk janë të vetëdijshëm për ekzistencën e kësaj dije.

Propozimi i nëntë kërkon liberalizim të mëtejshëm të sektorëve publikë të vendit, ku më kryesorët janë arsimi dhe shëndetësia. Siç ndodh shpesh gjatë artikullit, edhe këtu detajet janë të pakta, por parrullat të shumta. Mbase do ishte e vlefshme që profesorët të ishin shprehur më qartë për ligjin e ri të arsimit të lartë, i cili është një rast unik në botë ku fondet publike financojnë universitetet private me qëllim fitimi.

Sikurse, është problematike që profesorët me “arsim” kuptojnë vetëm arsimin e lartë, duke shpërfillur arsimin më të rëndësishëm nga pikëpamja e interesit publik dhe shoqërisë, arsimin fillor dhe të mesëm, i cili për më tepër është detyrim shtetëror.

Po ashtu, do ishte e vlefshme që profesorët të komentonin zhvillimet e PPP-ve të cilat janë kritikuar dhe nga FMN, veçanërisht ato në fushën e shëndetësisë të cilat po përfundojnë në skandale korrupsioni.

Propozimi i dhjetë dhe i fundit kërkon një pension “dinjitoz” duke propozuar rritje të tij. Me sa duket profesorët jopopulistë kanë dashur ta mbyllin paktin e tyre jopopulsit me pak… populizëm.

Gjithsesi kjo nuk është çështje që duhet t’i shqetësojë, pasi pensionet janë gjithmonë pagesat e para që qeveritë tentojnë të rrisin kur kanë mundësi ta bëjnë. Mbase do ishte e duhur që ata të propozonin rrugë për rritjen e ekonomisë që do të çonte në mirëqenie më të lartë dhe, për rrjedhojë, pensione më të larta për të gjithë, por kjo gjë do të kërkonte studim më serioz të problemeve të vendit dhe pavarësi më të madhe për të folur hapur se ajo që kanë profesorët e paktit të reformizimit.

Ndoshta do të kërkonte edhe më shumë imagjinatë se imagjinata që kanë treguar profesorët kur kanë zgjedhur emrit banal dhe të pakuptimtë “reformizim”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>