10 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend sipas Ministrisë së Mbrojtjes.
Një pjesë e vatrave janë të reja dhe një pjesë janë krijuar nga era e fortë pranë vatrave aktive.
Një vatër e re është shfaqur në Malin e Tërbunit, bashkia Pukë dhe rrezikon kurorën e qytetit të Pukës, por nuk ka rrezik për banesa.
Është ndërprerë ndërkohë ndërhyrja nga ajëri për shuarjen e vatrës së zjarrit në fshatin Flet, njësia administrative Blerimaj, bashkia F.Arrëz si pasojë e telave elektrikë që rrezikonin punën e helikopterit.
Më e vështirë paraqitet situata në fshatin Dardhë si dhe në zonën midis fshatrave Lodertune dhe Mazrek. Në Mazrekë ndodhen rrënojat e Kishës së Shatit, monument kulture i kategorisë së parë.
Vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë.
Në fshatin Thirrë në Mirditë është përmirësuar situata ndërsa vatra në “Majën e Rrunës” në Kukës vijon të mbetet problematike.
Aktive ka mbetur edhe vatra në fshatin Kaçni në Dibër.
Janë raportuar edhe dy vatra të reja, njëra në fshatin Vanë të Delvinës dhe një tjetër në Kamiçan të Elbasanit.
Për momentin zjarret nuk paraqesin rrezik për banesat dhe banorët e zonave.