14 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur në Tetovë të Maqedonisë së Veriut si pasojë e një zjarri që përfshiu spitalin COVID mbrëmjen e së mërkurës.
Ende nuk ka një bilanc përfundimtar të viktimave ndërsa mes tyre janë edhe persona nga stafi spitalor të cilët ishin në detyrë kur godina u përfshi nga flakët.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nuk e ka përjashtuar mundësinë që numri i të vdekurve të jetë më i lartë. Nuk ka ende të dhëna për të plagosurit dhe për numrin e personave që gjendeshin në spital në kohën e shpërthimit të zjarrit.
Shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende por dyshohet se ai ka ardhur si pasojë e shpërthimit të bombolave të gazit apo oksigjenit.
Spitali për tajtimin e pacientëve të sëmurë me COVID-19 ishte ndërtuar muajt e fundit dhe dy javë më parë ishin dëmtuar instalimet e oksigjenit.
Ndërhyrja e zjarrfikësve për të shpëtuar personat e mbetur brenda godinës është vështirësuar pasi flakët janë përhapur shpejtë dhe kanë djegur në pak minuta godinën për shkak të materialit që ishte përdorur në ndërtim.
Për këtë ngjarje qeveria e Maqedonisë së Veriut do të mbajë një konferencë për mediat në orën 10. Nga ana tjetër në godinën e komunës së Tetovës është krijuar një shtab emergjence.