Stefano Boeri është arkitekti që po harton masterplanin e Tiranës. Edhe pse ai nuk ka realizuar ende ndonjë variant paraprak të planit, Zoti Boeri vazhdon të mbetet aktiv në media për të shpalosur idetë dhe vizionin e tij për Tiranën.
Të hënën në mbrëmje ai i ka dhënë një intervistë për emisionin Top Story të gazetarit Sokol Balla. Disa nga mendimet që Zoti Boeri shpalosi gjatë intervistës, ishin:
- Ka pjesë të qytetit, që kanë ndërtesa aq të degraduara e që konsumojnë energji, sa është më e kushtueshme t’i rikthesh siç ishin, sesa t’i rrëzosh dhe t’i rindërtosh me një arkitekturë të re dhe me cilësi.Unë besoj se duhet ta mendojmë këtë.
- [Për planin e Tiranës] U nisëm nga problemet e qytetit, nga propozimet, nga energjia dhe burimet që janë sot të gjalla në Tiranë, e nga aty të krijojmë projekte që janë të realizueshme.
- [Po mundohemi] ta mendojmë qytetin të zhvillohet jo duke zaptuar fshatra, por duke u zhvilluar së brendshmi, duke ristrukturuar ndonjë pjesë të asaj që është ekzistente.
- Projekti për qendrën nuk duhet parë i ndarë nga projekti për parkun e Besimit, sa për shembull. Janë një sërë sistemesh që duhet të punojnë bashkë, të kenë të njëjtën filozofi, sikurse edhe zbatimi i bulevardit duhet të jetë i një filozofie.
- [Një nga rregullat të cilën po mundohemi të ndjekim] është të ndërtojmë duke mbajtur në konsideratë gjelbërimin, pra të vendosim një standard për gjelbërimin, që të jetë fikse për të gjitha pjesët e qytetit.
- Duam të mendojmë për një qytet, që nëse do ta thoja në zhargonin teknik, do ta quaja një qytet të demineralizuar. Pra, aty ku ulen sipërfaqet me minerale dhe rriten ato biologjike, të gjelbërta. Që do të thotë mbi të gjitha parqe dhe kopshte.
- Ne duam një Tiranë me disa qendra. Duhet të krijojmë disa pika me intensitet më të lartë funksionesh, shërbimesh, aktivitetesh. Këto bëhen, disa herë, duke rindërtuar pjesë të qytetit.
- Besoj se i njoh shumë mirë marzhet që një teknik mund t’i lërë politikës, dhe limitet përtej të cilave politika nuk duhet kurrë të ndërhyjë. Kjo për mua është një pjesë thelbësore e punës.