Pas takimit me Presidentin Barack Obama dhe Zëvendës Presidentin Joe Biden, Kryeministri Edi Rama dha një intervistë nga Washingtoni për gazetarin Sokol Balla.
Deklaratat kryesore të tij gjatë intervistës ishin:
Për takimin në Shtëpinë e Bardhë
- Presidenti duhej të vinte në mes të takimit [me Zëvendës Presidentin Joe Biden] por erdhi që në fillim dhe në fund më mori dhe më tha hajde shkojmë në Zyrën Ovale.
- Shkëmbyem disa batuta, por nuk kam marrë autorizim nga protokolli i Shtëpisë së Bardhë për t’i ndarë me publikun.
- [Presidenti Obama] i mbante mend dy herët e mëparshme [që jemi takuar] dhe nuk mendoja që një njeri që takon kaq shumë njerëz të mbante mend detajet, detaje që lidhen me basketbollin apo praninë time në Denver kur mori nominimin si kandidat për President.
- Në Denver në 2008, isha bashkë me Endri Fugën dhe Fuga më thotë do Zoti fiton Barack Obama. Unë i thashë që ky do të fitojë dhe do të bëhet President i SHBA dhe t’i do të jesh me mua kur ta takojmë në Shtëpinë e Bardhë. Këtë i treguam Presidentit mbi Denverin.
- Mos mendojmë që Shtëpia e Bardhë është një fushë-kalimi paradash protokollare. Axhenda është e ngjeshur sepse të gjithë duan të takojnë Presidentin e SHBA-ve dhe fakti që në këto 25 vite nuk është se udhëheqësit e Shqipërisë kanë kaluar çdo mandat në Shtëpinë e Bardhë, flet për të vërtetën që të jesh në Shtëpinë e Bardhë do të thotë shumë.
- E kam ftuar Presidentin që të vijë në Shqipëri. Më ka premtuar që gjatë këtyre 10 muajve, ose pas tyre do ta vizitojë Shqipërinë. Ka treguar shumë interes për rajonin dhe Shqipërinë dhe më ka habitur që ka dijeni të plotë për gjithçka.
Për kandidatin preseidencial amerikan Donald Trump
- Nuk jam përzier në punët e SHBA-ve. Jam i habitur nga ata që mes meje dhe Donald Trump, zgjedhin Donald Trump. Nuk është më punë e brendshme Donald Trump.
- [Donald Trump] ka thënë gjëra të papranueshme për shqiptarët, Kosovën dhe një histori të lavdishme bashkëpunimi mes SHBA dhe Shqipërisë, por “patriotët e Tiranës” e harrojnë këtë për fat të keq se janë të verbuar nga mllefi anti-qeveritar dhe janë gati që mes meje dhe Trump të zgjedhin Trump.
- Zoti e ruajtë Amerikën nëse zgjidhet [Donald Trump president].
- Si mund të lejohet një personazh i tillë që të hedhë baltë mbi myslimanët me një injorancë të paimgjinueshme?
- [Trump] ka mbajtur qëndrime të papranueshme mbi Ballkanin dhe me qëndrimet e Shtëpisë së Bardhë dhe DASH ndaj Millosheviçit, pasi sipas Trumpit Shtëpia e Bardhë dhe administrata amerikane duhet të mbështesnin Millosheviçin dhe nuk duhet të ndihmonin shqiptarët.
Për protestën kundër ndërtimit të hidrocentraleve në luginën e Valbonës.
- Nuk pashë asnjë protestues [nga protesta në Nju Jork], por është pjesë e jetës që të ketë edhe protesta dhe nuk ka asgjë të keqe. Çudi është kur proteston Presidenti për një kend lojrash. Ky është lajm, e para nuk është lajm.
Për politikën në vend
- Reforma do të bëhet, sepse është e qartë se ndryshe nga të gjitha reformat e tjera dhe debatet e tjera, për këtë reformë partnerët nuk do të heshtin, as nuk do të thonë që palët duhej të gjenin konsensusin.
- Para se të mendojmë për zgjedhje të parakohshme, duhet të dimë se i gjithë reputacioni që kemi fituar nga ndërkombëtarët, do të përfundojë me hapjen e negociatave në fund të këtij viti.