Ndoshta për të justifikuar nivelin e ulët të pritjes në Shtëpinë e Bardhë, por gjithsesi në mënyrë të panevojshme, Kryeministri Rama bëri hapin e pazakontë për të “sqaruar” në publik protokollin e Shtëpisë së Bardhë, duke u shprehur:
“Ata që kërkojnë transparencë nga Shqipëria nuk dinë çfarë kërkojnë pasi harrojnë që unë nuk jam Presidenti i Shqipërisë, jam kryeministri dhe takimi nga pikëpamja protokollare zhvillohet me pritjen nga Zëvendës Presidenti dhe pastaj Presidenti bëhet pjesë e takimit.”
Në fakt, pretendimi i Kryeministrit Rama është krejtësisht i pa vërtetë: Presidenti Obama pret në Shtëpinë e Bardhë jo vetëm kryeministra por edhe ministra, madje edhe me ceremoni zyrtare protokollare. Mjafton të shikosh takimet e përditshme të Presidentit Obama dhe e kupton se “sqarimi” i Kryeminsitrit Rama se nuk u prit ngaqë nuk është president i vendit është justifikim keqinformues.
Por, nga ana tjetër Kryeministri Rama ka të drejtë për rastin e takimit të tij: atij ju rezervua formati jozyrtar dhe më i ulët, i cili ofrohet kur vizita në Shtëpinë e Bardhë bëhet për takime me zyrtarë të tjerë dhe jo Presidentin. Nëse një zyrtar i huaj—i cili ka takim me ndonjë zyrtar të ndryshëm nga Presidenti—kërkon të takojë edhe Presidentin, ky i fundit mund t’i bashkohet takimit që po zhvillohet mes tyre. Ky lloj takimi jozyrtar me Presidentin njihet, në protokollin e Shtëpisë së Bardhë, si “seancë pune” e Presidentit dhe nuk cilësohet vizitë.
Më poshtë po sqarojmë rregullat protokollare të qeverisë amerikane për vizitat në Shtëpinë e Bardhë, të renditura sipas shkallës së rëndësisë.
- Vizitë shtetërore – Është vizita e nivelit më të lartë e cila i ofrohet vetëm kryetarëve të vendeve —presidentëve ose monarkëve—me ftesë të Presidentit të SHBA-ve. Vizita përfshin pritje dhe parakalim me roje nderi, takim me Presidentin dhe darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë.
- Vizitë zyrtare – Është vizitë e cila u rezervohet krerëve të qeverive, me ftesë të Presidentit, e cila përfshin takim me Presidentin, darkë apo drekë zyrtare, konferencë të përbashkët për mediat dhe qëndrim në rezidencën Blair House.
- Vizitë zyrtare pune – Është vizita e cila u ofrohet si krerëve të shtetit ashtu dhe të qeverive. Vizita përfshin takim me Presidentin ku diskutohen marrëdhëniet dhe politikat ndërmjet dy vendeve.
- Vizitë pune – Është vizita që nuk ka nevojë për ftesë nga Presidenti, por bëhet me kërkesë të palës së interesuar dhe përfshin takim me Presidentin.
- Vizitë private – Është vizita e nivelit më të ulët, e cila përfshin takim në Shtëpinë e Bardhë me zyrtarë të tjerë veç Presidentit. Nëse me rastin e pranisë së tij në Shtëpinë e Bardhë, zyrtari i huaj kërkon të takojë edhe Presidentin, ka raste kur ky takim i mundësohet nga Presidenti, i cili i bashkohet takimit që po zhvillohet mes zyrtarit të huaj dhe zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë. Ky lloj angazhimi i Presidentit quhet zyrtarisht “seancë pune” e Presidentit.
Artikuj të lidhur: