Parlamenti Europian publikoi sot rezolutën vjetore për Shqipërinë. Pikat kryesore të saj janë:
- Korrupsioni i kudogjendur është shqetësues, veçanërisht në shëndetësi, drejtësi, prokurim publik, konçesione e partneritete publike private, planifikim urban, arsim dhe qeverisje lokale.
- Duhen ndëshkuar zyrtarët e lartë të denoncuar për korrupsion.
- Duhet dhënë sa më shpejtë drejtësia për viktimat e ngjarjeve të 21 janarit.
- Duhet siguruar dhe zbatuar e drejta e pronës. Problematike është situata me kthimin dhe kompensimin e pronave të marra gjatë regjimit komunist.
- Reforma në drejtësi është një nga pikat kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimn Europian. Ajo duhet të sigurojë pavarësinë e plotë dhe paanshmërinë e gjykatave, në veçanti të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
- Reforma duhet të rregullojë problemet aktuale të drejtësisë: ndërhyrjet politike, korrupsioni i lartë, mungesa e kritereve të qarta profesionale për emërimin dhe promovimin e gjyqtarëve e prokurorëve, zgjatjen dhe zvarritjen e proceseve gjyqësore.
- Duhet zbatuar sa më shpejtë ligji i dekriminalizimit.
- Duhen marrë masa për zgjedhje sa më të lira e demokratike në të ardhmen, pasi politizimi i proçesit, mungesa e transparencës financiare të partive, keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe blerja e votës janë ende të pranishme.
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të mbikqyrë më mirë financat e partive dhe të bëjë kontrolle më të detajuara të deklaratave financiare të partive e të mos ndalet thjesht tek një kontroll formal.
- Media duhet të jetë profesionale, e pavarur dhe në shërbim të qytetarëve. Nuk duhet ushtruar presion politik dhe pengimi fizik për të mbuluar ngjarje specifike. Duhet më shumë transparencë lidhur me reklamat qeveritare në media.
- Qeveria keshillohet të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura mjedisore dhe të ruajë integritetin e parqeve kombëtare. Duhet përmirësuar cilësia e vlerësimeve të ndikimit në mjedis për të arritur në standartet e Bashkimit Europian. Duhet rritur transparenca dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje përmes konsultimeve publike për projektet.
- Duhen marrë masa për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njëriut, veçanërisht të pakicave si romët apo egjiptianëve që jetojnë ende në kushte të vështira e përballen me diskriminim e përjashtim social.
- Duhen ngritur mekanizmat e duhura shtetërore për trajtimin e pabarazisë gjinore, diskriminimit gjinor dhe dhunës ndaj grave e fëmijëve.