
Lëvizja Vetëvendosje, përmes një njoftimi publik e ka quajtur dorëheqjen e presidentit Hashim Thaçi si veprim të duhur, por të vonuar. Ata thonë se do të ishte mirë që presidenti Thaçi të ishte dorëhequr që kur u thërrit për intervistim në Hagë.
“Dhjetë vjetët e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin. Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Vetëvendosje konsideron se Kosova nuk është në gjendje ta mbrojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me institucionet e saj, për shkak siç thonë, ‘se keqqeverisja në dekadat e pasluftës ka rezultuar në institucione të brishta të drejtësisë’.
Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten kanë konfirmuar aktakuzën kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
Presidenti Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e presidentit menjëherë pas konfirmimit të aktakuzës.
Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.
Publikuar në Radio Evropa e Lirë.