Liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar gjatë vitit 2015. Ky është përfundimi i raportit të Freedom House për Lirinë e Medias.
Sipas raportit, media në Shqipëri vlerësohet si pjesërisht e lirë, prej vitesh tashmë, por në krahasim me vitin 2014, ka rënë me 8 pozicione.
Raporti vëzhgon situatën politike dhe ekonomike të vendit, ndikimin e qeverisë, bizneseve apo grupeve kriminale në media dhe mbulim e ngjarjeve nga kjo e fundit.
Ashtu si dhe në vitet e mëparshme, media shqiptare vazhdon të ndikohet nga politika apo biznesi privat. Një alternativë më e pavarur dhe më e lirë po ofrohet nga disa media dhe blogje online, të cilët kohët e fundit po përhapen gjithnjë e më shumë.
Liria e medias shqiptare vlerësohet në total me 51 pikë -në një sistem vlerësimi 0 deri në 100, ku 0 tregon lirinë e plotë, ndërsa 100 mungesën totale të lirisë.
Shqipëria renditet në vend të 106 nga 195 shtete të vëzhguara. Ndërsa në rajon, lë pas vetëm Maqedoninë, e cila prej më shumë se nje viti është përfshirë nga skandale të shumta.