Papunësia shkaktohet nga ekonomia dhe jo nga dembelizmi

Papunësia shkaktohet nga ekonomia dhe jo nga dembelizmi

Dje, Kryeministri Rama përsëriti për të disatën herë qëndrimin e tij për shqiptarët dhe papunësinë.

“Në të gjithë vitet që pararendën ardhjen tonë në qeveri është sponsorizuar dembelizmi masiv. Shqipëria ka punë, por kërkohen punonjës të kualifikuar. Problemi është mungesa e njerëzve të kualifikuar,” deklaroi ai në Panairin e Punës.

Në fakt, ky argument për të justifikuar numrin e lartë të papunësisë nuk gjen mbështetje në mendimin ekonomik. Sikurse  kemi shpjeguar në një artikull të para disa javëve, teoria ekonomike sugjeron tjetër gjë:

Teoria ekonomike thotë se rritja e punësimit është një tregues që ndjek rritjen ekonomike. 

A mundet teoria ekonomike të na ofrojë një zgjidhje në lidhje me këtë dilemë? A kemi vërtetë vende pune të hapura, për aq kohë sa shqiptarët të jenë të gatshëm të punojnë?

Përgjigja është e thjeshtë dhe vjen përmes modelit themelor të ekonomisë, të vetmit që mund të quhet ligjësi e mirëfilltë: modelit të kërkesë-ofertës, i cili i mësohet çdo njeriu që në shkollë të mesme.

Ky model, apo ligj, thotë se nëse rritet kërkesa për një të mirë, atëherë rritet dhe çmimi i saj, e anasjelltas nëse rritet oferta ulet çmimi i saj.

Puna është një e mirë e zakonshme, ndaj rritja e kërkesës për punë, pra për punonjës, si pasojë e vendeve të punës që qeveria thotë se janë hapur, duhet të sjellë një pasojë shumë të thjeshtë: rritjen e çmimit të punës. Ose e thënë ndryshe, rritje të pagave.

Si për çdo të mirë tjetër në treg, nëse punëdhënësit do ishin duke konkuruar për të tërhequr në bizneset e tyre ata pak punëtorë të kualifikuar dhe jo-dembelë, por edhe të shumëkërkuar tashmë që ekonomia qenka në ekspansion, kjo gjë do të çonte domosdoshmërisht në rritjen e pagës.

A mund të gjejmë nëse kemi parë rritje pagash në tërë ekonominë apo në sektorë të veçantë në Shqipëri?

Për këtë pyetje na vjen në ndihmë INSTAT, i cili ka disa të dhëna rreth ecurisë së pagave. Përgjigja e shkurtër është se në Shqipëri, rritja e pagave është minimale ose inekzistente. Ky fakt hedh poshtë teorinë se në treg ka vende pune që po presin punëtorë të rinj të kualifikuar.

Më konkretisht, të dhënat tregojnë se pas një rritje të ndjeshme në mesin e dekadës së shkuar, sidomos në sektorin e ndërtimit, në vitet e fundit pagat karakterizohen nga tendenca rënëse.

Si tregues përafrues mund të përdorim pagat shtetërore, meqë mungojnë të dhënat nga INSTAT për pagat e sektorit privat, pasi në çdo ekonomi ekziston një lidhje e fortë ndërmjet pagave private dhe atyre shtetërore.

Gjatë vitit 2015, pagat në sektorin shtetëror janë rritur mesatarisht me 2,17 përqind në vlerë nominale, pra nuk janë rritur fare në terma reale pasi inflacioni ka qenë rreth 2 përqind gjatë vitit të shkuar.

Mungesa e rritjes së pagave, si në sektorin privat ashtu edhe atë shtetëror, është treguesi kryesor se ekonomia jonë nuk po vuan nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar, teksa bizneset janë gati të zgjerojnë aktivitetin e tyre e kësisoj po kërkojnë intensivisht punëtorë të rinj.

Duke përdorur vetëm të dhënat zyrtare të ekonomisë dhe pak intuitë ekonomike, është e qartë se pretendimi i Kryeministrit për një treg pune “të uritur” për punëtorë nuk është aspak i vërtetë.

Ndryshe nga sa thotë Kryeministri, ekonomia, dukshëm, po vuan nga mungesa e vendeve të punës. Për më tepër, ekonomia duket se nuk ka as fuqi të krijojeë punësim në të ardhmen—treguesit e kredisë bankare po vazhdojnë të jenë anemikë, duke dëshmuar se bizneset nuk kanë plane zgjerimi.

Sado që Kryeministri dhe ministrat të mundohen të gjejnë argumente për të justifikuar papunësinë, e vërteta e shifrave flet ndryshe: Shqipëria vazhdon të jetë vendi me nivelin e dytë më të lartë të papunësisë në Europë (pas Kosovës) dhe ky realitet nuk pritet të ndryshojë, të paktën, 2-3 vitet e ardhshme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>