Kryeministri Edi Rama bisedoi të premten në mbrëmje, me gazetarin Aleksandër Furxhi në emisionin Kapital. Më poshtë janë disa nga thëniet kryesore të tij.
Për gazetarët që tentuan të hyjnë në mbledhjen publike të KKT-së:
- Ishte një prezantim publik, për publikun i organizuar me ftesa, ishte e ftuar dhe shoqata e arkitektëve.
- Zotërinjtë nuk kishin ftesë. Nuk mjafton të jesh gazetar e të çash dyert e të hysh ku të duash ti.
- Di që ata kanë ndeshur mospranimin e forcave të sigurisë, ashtu siç ndodh në çdo vend të botës, në çdo demokraci, në çdo funksionim normal institucioni.
Për ndërtimin e stadiumit Arena Kombëtare:
- Nëse Ahmet Zogu dhe qeveria e tij do të kishin dëgjuar kundërshtarët e asaj kohe ne nuk do të kishim as bulevardin as asamblin dhe asgjë nga këto që ne sot kemi dhe jemi me fat që i kemi trashëguar.
- Ai nuk është projekti im. Ai është projekti i një studio me reputacion ndërkombëtar.
- [Stadiumi] është pronë e përbashkët e kompanisë që bën investimin dhe Federatës. Federata merr pjesën që i takon, investitori pjesën që i takon.
- Ai projekt është miratuar nga KKT-ja, i kalon bashkisë për të vazhduar më tej me procedurat.
- Këta thonë që është i pari stadium në botë që ka kullë. Kjo është tjetër shprehje e injorancës shpartalluese. Në gjeneratën e fundit është më shumë se sa e përsëritur. Po të ishte i pari [stadium me kullë], unë do të isha krenar sepse do të ishte risi.
- Ç’do me thënë nuk pati garë? Federata është zotëruese e stadiumit me një formulë që nuk e kam përcaktuar unë, por qeveria paraardhëse. Federata ka zbatuar të gjitha procedurat, përfshirë dhe procedurën e thirrjes për shprehje interesi. Ka qenë një procedurë e hapur, është bërë thirrja dhe federata, punët e saj, ka konkluduar se kjo është kompania. Dhe ne bashkë me Federatën kemi konkluduar projektin.
- Në qoftë se mendoni se çdo thirrje për të bërë një projekt duhet t’ju vijë ju në media e keni gabim. Thirrja bëhet aty ku e përcakton ligji. Dhe në bazë të përcaktimit të ligjit është bërë e gjithë procedura.
- Ç’do me thënë proces transparent? Se nuk u pyetën këta, këta pesë veta? Kjo është e pavërtetë krejtësisht. Stadiumi është pronë e Federatës. Federata si çdo pronar tjetër është lidhur me një kompani dhe ka vendour të bëjë një partneritet.
- Mos vallë duhet t’ja çojmë projektin nëpër shtëpia? Këtyre që bëjnë vetëm zhurmë dhe që paragjykojnë çdo gjë në të dhe përveç të tjera edhe të shpifin dhe për të, për interesa korruptive dhe t’i venë emrin korrupsion çdo projekti që bëhet.
- Injoranca nuk është argument, injoranca ka gjithmonë përparësi në kurajon për të folur sikur i di të gjitha. Ne nuk kemi bërë asnjë shpikje, ne kemi bërë një procedurë të rëndomtë që është bërë në të gjithë botën.
- Kritikët nuk dinë se çfarë flasin. E kanë bërë llogaritjen këto se ai është bërë një pisllëk dhe një gropë e zezë, nuk i kanë bërë llogaritë. Shteti dhe bashkitë i dhurojën tokat. Madje dhurojnë tokat për të bërë hotele në bregdet.