Shqipëria konsiderohet regjim hibrid, mes autokracisë e demokracisë, që do të thotë se vendi ka institucione të brishta demokratike. Korrupsioni, mosndëshkimi i zyrtarëve të lartë dhe mungesa e pavarësisë së medias janë ndër problemet kryesore të vendit. Këto janë përfundimet e raportit vjetor të Freedom House për demokracinë.
Raporti merr në shqyrtim procesin zgjedhor, shoqërinë civile, pavarësinë e medias, drejtësinë, korrupsionin, qeverisjen demokratike të përgjithshme dhe lokale.
Gjendja e demokracisë në vend është vlerësuar në total me 4,14 pikë, në një sistem vlerësimi nga 1 në 7—ku 1 tregon nivelin më të lartë të demokracisë dhe 7 nivelin më të ulët.
Vlerësimi për Shqipërinë ishte i njëjtë si në vitin 2015, por më i ulët se ai i vitit 2014 dhe 2013.
Treguesi që ka pësuar përkeqësim krahasuar me vitin 2015 është liria e medias, ndërsa ai që është përmirësuar është procesi elektoral.
Treguesi që vlerësohet më dobët nga të gjithë, është korrupsioni me 5.25 pikë, ndërsa më mirë i vlerësuar është shoqëria civile.
Pikat kryesore të raportit për Shqipërinë janë:
- Miratimi i reformës në drejtësi, zbatimi i reformës administrative dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar janë hapat e domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë në BE.
- Zyrtarët e lartë akuzuar për korrupsion nuk janë hetuar e dënuar asnjëherë. Proceset e tyre karakterizohen nga zvarritja e hetimeve të prokurorisë, korrupsioni, ndërhyrja politike dhe mungesa e integritetit të gjykatësve dhe prokurorëve.
- Mungesa e transparenës financiare të partive, vjedhja e votës, votimi në grup, politizimi i institucioneve zgjedhore dhe kapja e medias nga partitë politike ishin fenomenet më shqetësuese në zgjedhjet lokale.
- Rënia e pjesëmarrjes në votime tregon pakënaqësinë e qytetarëve më forcat politike dhe kandidatën e tyre, shpeshherë me të shkuar kriminale.
- Puna e Këshillave Bashkiakë të pushtetit lokal karakterizohet nga mungesa e transparencës. Vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë për rritjen e çmimit të biletës u mor në mënyrë jo transparente dhe të dyshimtë.
- Asnjë nga 15 kryebashkiakët e akuzuar për shpërdorim detyre, dhënie leje ndërtimi të paligjshme apo ndërhyrje në procedurat e tenderit nuk janë dënuar.
- Media, veçanërisht ajo tradicionale, vazhdon të financohet dhe ndikohet nga partitë politike dhe nga biznesmenët.
- Gazetarët investigativë që raportojnë korrupsionin dhe mos dënimin e zyrtarëve të lartë janë shumë të paktët. Pothuaj në asnjë rast denoncimet e tyre nuk kanë çuar në dënimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar.
- Aksioni i qeverisë kundër informalitetit u krye mbi bizneset e vogla. Bizneset e mëdha, me lidhje të forta ekonomike dhe politike nuk janë prekur nga ky aksion.
- 17 për qind e forcës punëtore janë të papunë. 32 për qind e të rinjve janë të papunë. Kjo shifër është dy herë më e lartë se mesatarja europiane.
- Shqipëria renditet e dyta pas Sirisë për numrin e lartë të kërkesave për azil në Gjermani, me rreth 55 mijë kërkesa. Ajo rendit e para në Europë për numrin e lartë të aplikimeve në Llotarinë Amerikane me rreth 200 mijë aplikime.