Problemet kryesore në Shqipëri: Korrupsioni dhe mosndëshkimi i zyrtarëve të lartë – Pikat kryesore të raportit të Freedom House 2016

Problemet kryesore në Shqipëri: Korrupsioni dhe mosndëshkimi i zyrtarëve të lartë – Pikat kryesore të raportit të Freedom House 2016

Shqipëria konsiderohet regjim hibrid, mes autokracisë e demokracisë, që do të thotë se vendi ka institucione të brishta demokratike. Korrupsioni, mosndëshkimi i zyrtarëve të lartë dhe mungesa e pavarësisë së medias janë ndër problemet kryesore të vendit. Këto janë përfundimet e raportit vjetor të Freedom House për demokracinë.

Raporti merr në shqyrtim procesin zgjedhor, shoqërinë civile, pavarësinë e medias, drejtësinë, korrupsionin, qeverisjen demokratike të përgjithshme dhe lokale.

Gjendja e demokracisë në vend është vlerësuar në total me 4,14 pikë, në një sistem vlerësimi nga 1 në 7—ku 1 tregon nivelin më të lartë të demokracisë dhe 7 nivelin më të ulët.

Vlerësimi për Shqipërinë ishte i njëjtë si në vitin 2015, por më i ulët se ai i vitit 2014 dhe 2013.

Treguesi që ka pësuar përkeqësim  krahasuar me vitin 2015 është liria e medias, ndërsa ai që është përmirësuar është procesi elektoral.

Treguesi që vlerësohet më dobët nga të gjithë, është korrupsioni me 5.25 pikë, ndërsa më mirë i vlerësuar është shoqëria civile.

Pikat kryesore të raportit për Shqipërinë janë:

  • Miratimi i reformës në drejtësi, zbatimi i reformës administrative dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar janë hapat e domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë në BE.
  • Zyrtarët e lartë akuzuar për korrupsion nuk janë hetuar e dënuar asnjëherë. Proceset e tyre karakterizohen nga zvarritja e hetimeve të prokurorisë, korrupsioni, ndërhyrja politike dhe mungesa e integritetit të gjykatësve dhe prokurorëve.
  • Mungesa e transparenës financiare të partive, vjedhja e votës, votimi në grup, politizimi i institucioneve zgjedhore dhe kapja e medias nga partitë politike ishin fenomenet më shqetësuese në zgjedhjet lokale.
  • Rënia e pjesëmarrjes në votime tregon pakënaqësinë e qytetarëve më forcat politike dhe kandidatën e tyre, shpeshherë me të shkuar kriminale.
  • Puna e Këshillave Bashkiakë të pushtetit lokal karakterizohet nga mungesa e transparencës. Vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë për rritjen e çmimit të biletës u mor në mënyrë jo transparente dhe të dyshimtë.
  • Asnjë nga 15 kryebashkiakët e akuzuar për shpërdorim detyre, dhënie leje  ndërtimi të paligjshme apo ndërhyrje në procedurat e tenderit nuk janë dënuar.
  • Media,  veçanërisht ajo tradicionale, vazhdon të financohet dhe ndikohet nga partitë politike dhe nga biznesmenët.
  • Gazetarët investigativë që raportojnë korrupsionin dhe mos dënimin e zyrtarëve të lartë janë shumë të paktët. Pothuaj në asnjë rast denoncimet e tyre nuk kanë çuar në dënimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar.
  • Aksioni i qeverisë kundër informalitetit u krye mbi bizneset e vogla. Bizneset e mëdha, me lidhje të forta ekonomike dhe politike nuk janë prekur nga ky aksion.
  • 17 për qind e forcës punëtore janë të papunë. 32 për qind e të rinjve janë të papunë. Kjo shifër është dy herë më e lartë se mesatarja europiane.
  • Shqipëria renditet e dyta pas Sirisë për numrin e lartë të kërkesave për azil në Gjermani, me rreth 55 mijë kërkesa. Ajo rendit e para në Europë për numrin e lartë të aplikimeve në Llotarinë Amerikane me rreth 200 mijë aplikime.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>