Deputeti socialist Ben Blushi foli sot në Kuvend për krizën e bisedimeve mes partive për draftin e reformës në drejtësi dhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve në këtë proces.
Deklaratat kryesore të tij janë:
- Klasa politike shqiptare nuk do dhe po e saboton qëllimisht reformën në drejtësi.
- Ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së kanë vendosur të mbledhin grupet tona parlamentare për tu përcaktuar atyre jo vetëm punën, por edhe orarin e punës, ditën e premte siç thonë.
- Kjo është një ditë në të cilën provohet se parlamenti i Shqipërisë, nuk ka as fuqi, as dinjitet, as mundësi për të bërë atë që duhet dhe atë që pritet prej tij. Nga kjo ditë, ky parlament ka humbur sovranitetin dhe legjitimitetin që ka.
- Shikoni çfarë shëmtie, ku e solli veten e tij ky parlament. Ambasadorët vijnë në grupet tona parlamentare për të na bindur se duhet të bëjmë drejtësi. Në sytë e shqiptarëve dhe të botës kjo do të thotë troç, se ne nuk duam por po detyrohemi të bëjmë drejtësi.
- Ajo që po ndodh është se të huajt nuk po na lënë vetëm. Megjithatë kjo mbështetje për reformën në drejtësi dhe qytetarët e Shqipërisë sigurisht që ka një çmim. Çmimi është tallja me ne. Çmontimi i kësaj klase politike, ndëshkimi i kësaj klase politike dhe në fund fare shfarosja si specie e kësaj klase politike.
- Ne e meritojmë të tallemi, dhe të nëpërkëmbemi siç po ndodh. Tre grupet tona parlamentare sot duhet të skuqen dhe për hir të së vërtetës, nuk do të doja të isha në asnjërën nga këto grupe.
- Nëse nuk e kuptoni duhet ta dini se [ne, klasa politike] jemi shumë afër shfarosjes. Shumë shqiptarë do ta aprovonin këtë, Shqipëria do të jetë më mirë kur ne të ikim.
- Ky parlament, sipas meje, shumë shpesh ka qenë sadist, por çdo ditë ka qenë esadist. Ka ecur me këmbëngulje në 25 vjet në rrugën e Esad Toptanit. Të jesh esadist do të thotë të jesh kundër interesit kombëtar, kundër interesit publik dhe atyre që s’marrin drejtësi, dhe kundër Shqipërisë. Ky parlament si besnik i parimeve esadiste sigurisht po shënon fundin e vet