Rreth 120 sinjalizime në 15 ditë, shtohet numri i zjarreve kryesisht në jug të Shqipërisë

Rreth 120 sinjalizime në 15 ditë, shtohet numri i zjarreve kryesisht në jug të Shqipërisë

Rreth 120 sinjalizime zjarri u dhanë për Shqipërinë gjatë 15 ditëve të muajit gusht dhe ato kishin shtrirje kryesisht në jug të Shqipërisë.

Të dhënat flasin për raste nën mesataren e viteve të shkuara, por që po shpeshtohen për shkak të temperaturave të larta.

Shifrat e përcjella nga sistemi satelitor i Global Forest Watch Fires tregojnë se Vlora, Gjirokastra, Puka dhe Skrapari janë zonat që kanë qenë më të ekspozuara ndaj rrezikut për zjarre ditët e fundit.

Për të njëjtën periudhë sistemi i NASA-s Fire Information for Resource Managment System raportoi 123 raste ku pamjet termike sinjalizonin mundësi zjarresh.

Vetëm këtë javë pati mbi 50 sinjalizime të tilla për mundësi zjarresh kryesisht në Vlorë, Skrapar, Kolonjë, Delvinë, Tepelenë, por përveç sinjalizimeve satelitore, pati gjithashtu raportime nga mediat.

Në Vlorë, Himarë, Ersekë dhe Kukës u raportua për zjarre të ndryshme, të cilat detyruan angazhimin zjarrëfikësve, punonjësve të bashkive, agjencisë së zonave të mbrojtura dhe banorëve.

Në Parkun Kombëtar Korab-Koritnik, në Kukës, u dogjën 15 hektarë pyje dhe kullota.

Në zonën malore të Borshit dhe Piqerasit në Himarë zjarret u raportuan që të hënën dhe ato ende vazhdojnë.

Terreni shumë malor e ka bërë të vështirë ndërhyrjen.

Pranë vijës bregdetare të Zvërnecit në Vlorë u dogj një sipërfaqe e madhe me kallamishte.

Në anën e rrugës Korçë-Ersekë flakët dogjën toka dhe vunë në rrezik shtëpi të banuara.

LEXO  Tetë vatra zjarri në 24 orë, digjen dhjetëra hektarë tokë

Sipas mediave disa nga zjarret dyshohet se janë shkaktuar nga njerëzit.

Pamje nga zjarri i pak ditëve më parë në parkun kombëtar Korab-Koritnik.

Në muajin mars të këtij viti vendi u përball me një situatë edhe më të rënduar. Sipas të dhënave satelitore mbi 800 sinjalizime zjarresh u raportuan në 31 ditë. Edhe atëherë u tha se zjarret ishin të qëllimshme, por ende nuk ka një raport se sa ishin të arrestuarit dhe sa prej tyre u dënuan.

Ligji e klasifikon zjarrvënien me dashje shkelje penale dhe sipas Nenit 206/1: dënohet me burgim nga pesë deri në tetë vjet.

Në varësi të gjendjes, shkallës së dëmtimit, kategorisë së tokës dhe rrezikut që shkakton, ky dënim mund të rëndohet deri në 20 vite burg.

Lajme te ngjashme