Kryebashkiakut Elvis Rroshi nuk i kujtohet nëse është dënuar apo jo në Gjermani

Kryebashkiakut Elvis Rroshi nuk i kujtohet nëse është dënuar apo jo në Gjermani

Elvis Rroshi, kryebashkiaku i Kavajës, është hetuar dhe gjykuar për një vepër penale në fillim të viteve 2000 në Gjermani. Këtë gjë ai e ka deklaruar në formularin e dekriminalizmit, plotësuar disa ditë më parë në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, i cili sapo hyrë në fuqi

Por, në mënyrë të çuditshme, me justifikimin se nuk e mban mend, Zoti Rroshi nuk ka deklaruar në formular se për çfarë krimi është gjykuar dhe as nëse është gjetur fajtor dhe dënuar nga Gjykata e Mynihut.

Pas publikimit në media të këtij fakti, Zoti Rroshi ka sqaruar sot se nuk bëhet fjalë për krim serioz, por për dëbim nga Gjermania si emigrant i paligjshëm edhe pse nuk i mban mend detajet e sakta të akuzës.

Ai u shpreh se avokatët e tij janë duke marrë informacion të saktë për akuzën e saktë dhe vendimin e gjykatës gjermane dhe do ta bëjnë atë publike së shpejti.

Zoti Rroshi është akuzuar vazhdimisht nga opozita për veprimtari kriminale në emigracion, në mënyrë të veçantë për përfshirje në trafikun e kokainës në Itali ku, sipas Partisë Demokratike, ai është dënuar. Sipas opozitës, Zoti Rroshi ka ndryshuar identitetin e tij për të mbuluar gjurmët e aktivitetit të tij kriminal dhe dënimet gjatë qëndriemt në emigrim .

Zoti Rroshi i ka mohuar akuzat duke pranuar se ai ka qenë emigrant ilegal në Itali dhe Gjermani, por ka punuar ndershëm në punë të rënda për të siguruar jetesën dhe pastaj është kthyer në atdhe për të kontribuar për qytetin e tij, Kavajën.

LEXO  Pjesmarrje më e lartë në votime në krahasim me 2017-ën

Ai ka patur mbështetjen e vazhdueshme të Kryeministrit Rama, i cili gjithashtu është shprehur se Zoti Rroshi nuk ka asgjë në të shkuarën e tij që mund të jetë objekt i ligjit të dekriminalizimit.

Madje për Zotin Rama, Zoti Rroshi është modeli që duhet të merret nga të gjithë drejtuesit socialistë për rilindjen e Shqipërisë.

Një muaj më parë, Kryeministri Rama iu drejtua grupit parlamentar të Partisë Socialiste me fjalët:

“Elvis Rroshi është shembulli i përpikmërisë së realizimit të projekteve të Rilindjes Urbane.”

Pavarësisht rëndësisë së Zotit Rroshi në “rilindjen e vendit”, sipas ligjit të dekriminalizimit, ai duhet të lërë mandatin e tij nëse vërtetohet se është dënuar nga Gjykata e Mynihut apo ndonjë gjykatë tjetër gjermane apo italiane ku ai ka jetuar si emigrant.

Lajme te ngjashme