Në panairin e punës kompania e cila ofronte më shumë vende pune ishte një kompani e shërbimit taksi, e cila nuk arriti të gjente aq taksistë sa kërkonte.
Në shërbimin taksi në Tiranë kanë hyrë, rishtazi, disa kompani të organizuara, të cilat kanë makinat-taksi në pronësi të tyre dhe punësojnë shoferë. Ato kanë një qendër koordinimi, me anë të së cilës shpërndajnë kërkesat dhe kontrollojnë mjetet. Shërbimi i tyre ofrohet, shpesh, më çmim të ulët, të kontrolluar dhe përmes llogaritjes me taksimetër. Të gjithë taksistët që janë të punësuar në këto kompani janë të edukuar dhe të shkolluar.
Në pjesën tjetër të tregut veprojnë taksistë të pavarur, çdo kush pronar i makinës-taksi. Ato kanë një vend qendrimi të caktuar nga bashkia, punojnë kur duan dhe me tarifat që ato duan.
Ne intervistuam disa taksistë të punësuar në kompanitë e shërbimit taksi për të kuptuar nëse me të vërtet qeveria ka të drejtë kur shprehet se shiptarët janë “dembelë”.
Taksistët punojnë, mesatarisht, gjashtë ditë në javë, për 12 orë në ditë, me një pagë mesatare prej 35 mijë lekë në muaj. Pra, ato paguhen 35 mijë lekë për rreth 300 orë punë në muaj, afërsisht 120 lekë për orë. Kjo pagesë është 110 lekë për orë më pak se një punë e rrezikshme në një fabrikë fason.
Nuk është e sigurtë nëse taksistët kanë mundësi të marrin leje apo të bëjnë pushime.
Ata, pavarësisht se marrin ndonjë shpërblim nga kompania, kanë përgjegjësinë e kundravajtjeve dhe të dëmeve të shkaktuar ndaj makinës.
Ndoshta, të paktën në këtë rast, problemi nuk qëndron në kualifikimin profesional të tyre, sikurse deklarohet nga qeveria. Por, problemi qëndron në mbingarkesën e punës së kërkuar nga sipërmarrësi, i cili është mësuar të mos ketë asnjë lloj kufiri.
A mundet një person të drejtojë një makinë për 12 orë rresht, në trafikun e ngarkuar të Tiranës, duke rrezikuar aksidente me makina dhe këmbësorë, për një pagë prej 35 mijë lekë?
A e lejon Kodi i Punës këtë gjë?
A janë këto marrëdhëniet e punës që kemi ndërtuar?