Votohet sot për anëtarësimin e Kosovës në FIFA, Rusia kundër

Votohet sot për anëtarësimin e Kosovës në FIFA, Rusia kundër kosova fifa

Vendimi për anëtarësimin e Kosovës në FIFA, institucionin më të rëndësishëm ndërkombëtar të futbollit, do të merret sot në Kongresin e 66-të të FIFA-s.

Nëse do të pranohet, kombëtarja e Kosovës do të të jetë e 210-ta që anëtarësohet në FIFA. Deri më tani i vetmi vend që ka deklaruar hapur votën për Kosovën është Rusia. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë deklaroi dje se Rusia do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës, pasi e shikon këtë si një përpjekje për të marrë njohje ndërkombëtare. Gjithsej do të votojnë 209 vende anëtare.

Një nga kushtet kryesore për anëtarësimin në FIFA është anëtarësimi më parë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, pjesë e të cilës Kosova nuk është. Megjithatë ky rregull nuk zbatohet gjithnjë. Aktualisht në FIFA janë të anëtarësuara 24 kombëtare që nuk janë pjesë e OKB-së.

Mos qënia pjesë e OKB-së nuk e ndaloi Kosovës të anëtarësohet, në 3 maj, as në UEFA, institucionin më të rëndësishëm në Europë. Pavarësisht insistimit të Serbisë për të respektuar këtë rregull, Kosova mori 28 vota pro.

Si për anëtarësimin në UEFA, ashtu dhe për në FIFA, ky rregull është cilësuar më shumë si me prapavijë politike dhe që nuk duhet të ndikojë në sport.

Përfaqësuesja kosovare shpreson se anëtarësimi në FIFA mund ta çojë vendin në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2018.
Në kongresin e sotëm, përveç Kosovës do të votohet dhe për anëtarësimin e kombëtares së Gjibraltarit. Ky kongres do të jetë i pari që do të zhvillohet nën drejtimin e presidentit të ri të FIFA-s Gianni Infantino.

Lajme te ngjashme