Rama nxit popujt e Ballkanit t’i harrojnë problemet e shkaktuara “njëri-tjetrit” 

Nga Bledar Qalliu
Rama nxit popujt e Ballkanit t’i harrojnë problemet e shkaktuara “njëri-tjetrit” 

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar popujve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti shqiptarëve dhe serbëve, që t’i harrojnë dëmet që, sipas tij, i kanë shkaktuar njëri-tjetrit dhe të ecin përpara.

Të premten, Rama foli para të pranishmëve në konferencën e kryetarëve të parlamenteve të Nismës Adriatiko-Joniane në Tiranë, presidencën vjetore të së cilës e ka Shqipëria. Organizata synon ruajtjen e paqes dhe nxitjen e bashkëpunimit në rajon.

Duke folur për rëndësinë e paqes, Rama u ndal te marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve dhe te bashkëpunimi rajonal:

“Ne jemi këtu për të qëndruar. Shqiptarët nuk kanë për të shkuar gjëkundi […] Serbia nuk ka për të shkuar gjëkundi, ashtu si edhe kroatët, sllovenët, malazezët, maqedonasit. Të gjithë ne do të jemi këtu. Ndaj ne duhet t’i zgjidhim [problemet] dhe të rritemi më në fund dhe ta harrojmë rrëmujën që kemi shkaktuar për njëri-tjetrin”, u shpreh Rama.

Trupat serbe kanë kryer gjenocidin e parë dhe të vetëm në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – Gjenocidi i Srebrenicës në Bosnje dhe Hercegovinë në 1995 – i cili u njoh nga gjykatat ndërkombëtare, por ende mohohet nga Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç.

Vlerësimet e Ramës për “rrëmujën” që vendet e rajonit i paskëshin shkaktuar “njëri-tjetrin” është e habitshme, sidomos për shqiptarët, disa prej të cilëve e akuzuan se me këto deklarata po i shërbente Vuçiçit, i cili ishte ministër i propagandës për Kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviçin, kur serbët kryen masakra të shumta kundër shqiptarëve në Kosovë.

Gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, serbët zhvilluan luftëra brutale kundër kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës, duke vrarë rreth 50 mijë civilë ndërmjet viteve 1992 dhe 1999, duke shkaktuar deportime masive, masakra dhe një gjenocid të tmerrshëm.

Në luftën e tyre të fundit në vitet 1998-1999 kundër shqiptarëve të Kosovës, qeveria gjenocidale e Millosheviçit dhe Vuçiçit vrau mbi 10 mijë shqiptarë dhe shpërnguli gati 90 për qind të popullsisë.

Rezistenca e shqiptarëve të Kosovës ndaj brutalitetit të makinerisë së luftës së Millosheviçit shkaktoi dëme të vogla dhe të pakrahasueshme ndaj trupave gjenocidale serbe. Edhe pse disa shqiptarë kryen krime kundër serbëve civilë të Kosovës, këto krime nuk ishin planifikuar në nivel shtetëror dhe numri dhe natyra e tyre mbeten të pakrahasueshme me krimet serbe. Teksa shqiptarët e Kosovës ishin relativisht më pak të përgatitur për luftë, popujt e tjerë më të pajisur në rajon pësuan gjithashtu humbje e vuajtje të mëdha gjatë luftës për t’i rezistuar mizorisë së regjimit serb.

Megjithatë asgjë nga këto nuk është e re për Ramën. Ai i njeh mirë krimet serbe. Por kryeministri është përpjekur për vite me radhë të marrë rolin e një lideri rajonal, rol që në mënyrë të pashmangshme për tëkalon përmes bashkëpunimit të ngushtë me Vuçiçin, i cili drejton popullsinë më të madhe në Ballkanin Perëndimor.

Rama është përkrahësi më i fortë rajonal i nismës për Ballkanin e Hapur, që ai e ka nisur me Vuçiçin, ku ka ardhur më vonë edhe kryeministri maqedonas. Kjo nismë shkon paralelisht me një tjetër më të gjerë të Tregut të Përbashkët Rajonal të rënë dakord nga të gjashtë vendet e rajonit nën ombrellën e BE-së.

Me një presion gjithnjë në rritje nga BE dhe SHBA ndaj Serbisë pas refuzimit të saj për të vendosur sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës, Rama i ka shtuar veprimet në mbështetje të Vuçiçit.

Ai ka qenë i vetmi drejtues qeverie që i ka bërë thirrje popullit të tij të tregojë mirëkuptim për lidhjet Serbi-Rusi dhe për pozicionin e vështirë të Vuçiçit mes presionit të Bashkimit Evropian dhe miqësisë me Rusinë.

Ai e ka lavdëruar dy herë Vuçiçin për dy votat e Serbisë në OKB kundër pushtimit rus të Ukrainës, duke pretenduar se lideri serb paskësh bashkuar Ballkanin Perëndimor me Perëndimin përmes vendimeve të tij.

Rama ka hedhur poshtë gjithashtu shqetësimet e ngritura në rajon për armatimin e Serbisë me një sistem kinez për mbrojtjen nga ajri.

Qasja ndaj Serbisë nga qeveritë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë mbetet çështja më e debatueshme mes kryeministrave Edi Rama dhe Albin Kurti. Kurti kërkon që Serbia të mbajë përgjegjësi dhe të kërkojë falje për krimet e kryera ndaj shqiptarëve.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>