Elvis Rroshi dha sot dorëheqjen nga Kryetar i Bashkisë së Kavajës, me sa duket duke i paraprirë bërjes publike të disa dënimeve penale të tij në Itali, të cilat nuk i kishte vetëdeklaruar në formularin e dekriminalizimit. Tashmë, ai rrezikon gjithashtu ndjekjen penale për deklarim të rremë.
Zoti Rroshi u rizgjodh vjet për një mandat të dytë si kryebashkiak i Kavajës. Gjatë pesë vjetëve të fundit, ai ka pasur jo vetëm mbështetjen e plotë të Kryeminsitrit Rama por edhe miqësinë dhe vlerësimin e jashtëzakonshëm të kryeministrit.
Më poshtë, Exit.al ju sjell disa nga deklarimet e Kryeministrit Rama për Elvis Rroshin:
Maj 2013:
“Këtu [në Kavajë] ka pasur një ngërç shumë të madh para se të ndodhte ndryshimi i madh që ishte fryt i kandidaturës së Elvis Roshit dhe punës së tij që mori përsipër ndryshimin e madh në Kavajë.”
Qershor 2015:
“Më thanë që ka ardhur Luli këtu dhe ka bërë pyetjen si e quajnë Elvis apo Ervin Roshi. Unë kam një pyetje tjetër, si e quajnë kryetarin e PD, Sali apo Lul, se sa i përket kryetarit të bashkisë këtu, e quajnë Ervin apo Elvis, unë them që e quajnë qytetarin e parë të Kavajës.”
“Nuk ka asnjë mister në emrin e tij. Ashtu si mijëra të tjerë, që në vitet e vështira të emigrimit trajtoheshin si mos më keq dhe dëboheshin si emigrantë të paligjshëm, edhe ai ka qenë i dëbuar.”
“Ajo që ka sot rëndësi është se, sot ai është i nderuar.”
“Në Kavajë nuk ka nevojë të flasësh shumë. Mjafton të kesh sytë në ballë për të kuptuar gjithçka për të mos pasur as më të voglin dyshim se nga është drejtimi i duhur”.
“U desh fitorja e Elvis Roshit, u desh kthimi i madh i pishtarëve dhe demokratëve të Kavajës, që e kuptuan se drejtimi i duhur ishte Elvis Roshi dhe Partia Socialiste.”
Shkurt 2016:
“Kisha dëshirë të ftoj në skenë, ‘kriminelin’ që drejton Kavajën….”
“Kemi kaluar një ligj për dekriminalizimin, sipas këtij ligji nuk shpëton askush që ka bërë diçka. Mezi po pres zbatimin e ligjit, që t’i coni letër Lulit, e ti thoni po ky si shpëtoi.”
“E patë çfarë bëri në Kavajë Elvisi, apo Ervin, hë si e ke emrin, se nuk dihet sa emra ke ti!”
Prill 2016:
“Elvis Rroshi është shembulli i përpikmërisë së realizimit të projekteve të Rilindjes Urbane.”