Deputeti Ben Blushi lëshoi, sot, sërish akuza ndaj Kryeministrit Rama dhe qeverisë për përfshirjen në politikë dhe mbrojtjen e personave që kanë kryer krime.
Zoti Blushi u ndal, veçanërisht, tek rasti i ish-kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi, i dorëhequr pasi u bë publike e shkuara e tij kriminale. Nga foltorja e Kuvendit, Zoti Blushi, më 19 maj, bërë publik një mesazh kërcënues që Elvis Rroshi i kishte dërguar atij. Kryeministri Rama zgjodhi të heshtë ndaj akuzave të deputetit Blushi atë ditë. Ndërsa sot, Kryeministri Rama nuk ka qenë fare i pranishëm në seancë.
Zoti Blushi përmendi emrat e deputetëve dhe kryebashkiakëve socialistë të inkriminuar dhe tha se ata nuk janë përfaqësuesit e PS-së, por të Rilindjes dhe Qeverisë Rama. Nga deklaratat e tij, Zoti Blushi la të nënkuptohet se ai nuk ndihet më pjesë e Partisë Socialiste.
Më poshtë janë disa nga deklariemt kryesore të deputetit Blushi sot në Kuvend:
Çështja Rroshi është dëshmi e degradimit të moralit politik.
Kemi vënë një përdhunues në krye të bashkisë. Vetëm në Shqipëri ndodh që del nga burgu dhe vjen në detyrë publike.
Njerëzit që ligji i kap, Rilindja po i strehon. Ata po kthehen në perandorë të qyteteve të tyre. Ky është dëmi më i madh që Rilindja i ka bërë Shqipërisë dhe Partisë Socialiste.
Ju që e keni mbrojtur këtë model, ç’na sugjeroni? Që duhet përdhunuar për karrierë? Që duhet të jesh dënuar për të bërë karrierë politike? Epo nuk ka plagë më të madhe se kaq…
Kryetari i bashkisë ikën për shkak të ligjit sepse ka përdhunuar, partia del në protestë dhe e mbron. Për mua që kërkova zgjedhje brenda partisë u bë antimiting.
Nëse sot je socialist, do të thotë të mbrosh përdhunimin, të mbrosh dhunën. Unë sot nuk do të doja të isha socialist. Unë nuk jam më një socialist se këtë gjë nuk e bëj dot. Për fat të keq, kjo nuk është PS që unë njoh, po Rilindja e kthyer në Vëllazëri të Vesit. Rilindja është një skemë e falimetuar e vesit!
Nëse të jesh socialist do të thotë të jesh si Koço Kokëdhima, unë nuk jam socialist!
Nëse të jesh socialist do të thotë të jesh si Armando Prenga, unë nuk jam socialist!
Nëse të jesh socialist do të thotë të jesh si Arben Ndoka, unë nuk jam socialist!
Nëse të jesh socialist do të thotë të jesh si Shukri Xhelili, unë nuk jam socialist!
Nëse të jesh socialist do të thotë të jesh si Elvis Rroshi, unë nuk jam socialist!