Ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi u shpreh, para pak ditësh gjatë një konference investimesh, se qeveria duhet të përfshihet më shumë në diplomaci ekonomike. Zonja Ekonomi pohoi, gjithashtu, Ministria e Ekonomisë do të ndërmarrë, se nga ana tjetër, një aksion për thjeshtëzimin dhe lehtësimin e regjistrimit të bizneseve të huaja në Shqipëri.
Koncepti i diplomacisë ekonomike është një koncept i paqartë, por në Shqipëri ai është përdorur, deri tani, si sinonim i termit “propagandë”— që nënkupton, mbi të gjitha, vizita dhe delegacione, aksione me qëllimin e vetëm për të ndikuar klasifikimet e përgatitura nga organizatat ndërkombëtare, konventa dhe konferenca dhe parrulla për të krijuar ndikim emocional, si “Shqipëria 1 euro”, “Shqipëria pa sindikata”, “Krijo një shoqëri në një ditë”, “Taksat më të ulta në rajon”, “20 000 italianë tashmë këtu”, etj.
Nisma të tilla u shpikën dhe u ndërmorën për herë të parë nga qeveria Berisha, por ato nuk dhanë asnjëherë rezultatet për të cilat u propaganduan: afruan disa sipërmarrës të vegjël, kryesisht sipërmarrës emigrantë, por asnjëherë sipërmarrës seriozë europianë.
Në fakt në periudhën 16 mujorë, janari 2015 – prill 2016, sipas INSTAT-it në vend janë regjistruar 1 900 shoqëri me të paktën një ortak të huaj; në 1 mijë prej tyre ortaku i huaj është italian. Këto shoqëri kanë histori nga më të çuditshmet, sikur është rasti i një personi të vetëm, nga Napoli, i cili ka regjistruar brenda pak muajsh mbi 30 kompani në sektorë të ndryshëm industrialë, në të cilat ai është vetë aksioneri më i madh (me gjasa këto kompani që operojnë dyqane, restorante apo farmaci janë të destinuara të mbyllen shpejt).
Mundësia për të regjistruar një shoqëri aksionere në një kohë të shkurtër, në fakt ka joshur shumë sipërmarrës të vegjël italianë, të cilët kanë ardhur në Shqipëri si për shkak të krizës në Itali, ashtu edhe propagandës së rremë se Shqipëria është si një parajsë fiskale.
Nga pikëpamja e marketingut duket se propaganda qeverisë po funksionon. Por pyetjet e vërteta të cilave duhet t’u japë përgjigje qeveria janë të tjera.
Sa nga shoqëritë e regjistruara në letër arrijnë të zhvillohen në sipërmarrje të cilat krijojnë vende pune dhe të ardhura, dhe sa shërbejnë vetëm si doping për statstikat qeveritare?
Nëse është e vërtetë se një shoqëri regjistrohet brenda një dite, sa kohë duhet për ta mbyllur në rast se biznesi nuk do të funksionojë? Apo ky është një tregues që nuk i intereson askujt pasi nuk ndikon në klasifikimin “Të bësh biznes” dhe rrezikon të nxjerrë në pah të dhëna të cilat nuk do t’i pëlqenin qeverisë?
Çfarë ndikimi kanë për tërheqjen e investimeve në të ardhmen dështimi i nismave të sotme qeveritare në fushën e biznesit, në fakt nisma që bazohen në propagandë dhe gënjeshtra?
Për shumë vite modeli i joshjes së investimeve të huaja duket se ka qenë thjesht një strategji sipërfaqësore për turizmin e biznesit: delegacione, koktejle, takime me ministra, Shqipëria 1 Euro, takime me ambasadorë, taksa të ulta, shfaqje e projekteve të mëdha, takime me bankat që premtojnë mbështetje, përshëndetjet e rastit dhe në fund vetëm heshtje.
Por, gjatë viteve të fundit, modeli i turizmit të biznesit po shndërrohet në një model akoma edhe më pak produktiv: modelin e “peshkimit të tonit”.
Peshkimi i tonit është një sistem i trashëguar nga periudha e mesjetës në zonën e Siçilisë. Ai përbëhet nga disa rrjeta fikse, të gjata disa kilometra, të mbushura me karrema që i tërheqin peshqit e kuq ton të hyjnë brenda në rrjetë. Mbasi kanë ngecur në rrjeta ata vriten me shigjeta, tërhiqen drejt bregut dhe më pas, bëhet përpunimi i tyre.
Në Shqipëri “toni” i huaj i joshur në këto brigje me karremat e propagandës masakrohet nga një burokraci zhvatëse, e mirëorganizuar në një sërë zyrash publike dhe private, në garë me njëra tjetrën për t’i shtrydhur bakshishe apo pagesë konsulence të huajit mendjelehtë, deri në pikën kur ky, i terrorizuar, i lë gjithçka mikut të tij apo ortakut shqiptar, i cili më pas e shet me një çmim qesharak.
Mirëpo kasaphana bëhet vetëm me “peshkun ton” italian. Nëse vjen një balenë amerikane apo ndonjë orkë gjermane modeli nuk funksionon, sepse balenat dhe orkat e dëgjojnë zhurmën e kasaphanës dhe i qëndrojnë larg asaj.