Dita tinzare pa makina

Nga Ilmi Rehova
Dita tinzare pa makina

Tre të diela rrjesht transporti publik në Tiranë ka qenë në kaos total si pasojë e mbajtjes, nga Bashkia e Tiranës, të së ashtuquajturës, “ditë pa makina”. Me përjashtim të “oazit” në qendër të Tiranës, e cila bllokohet dhe kthehet në skenë për propagandën bashkiake, në pjesën tjetër të qytetit trafiku rëndohet e paralizohet, zhurmat, ndotjet, acarimet e njerëzve shënojnë nivelet më të larta.

Në rrëmujën e shkaktuar nuk kupton cili është qëllimi i kësaj nisme dhe për më tepër suksesi i saj, përderisa përsëritet. Problemi kryesor i kësaj nisme është se një fushatë vetëdijësimi nuk duhet të bëhet me shtrëngim dhe arbitraritet, të çfarëdo forme qofshin. Ne nuk mund të kemi një ditë pa makina për të vetëdijësuar, duke bllokuar në mënyrë arbitrare rrugët, ndërkohë që nuk ka asnjë alternativë tjetër veç makinës.

Nëse ne këkojmë më pak trafik dhe ajër më të pastër, duhet që qytetarët të mos përdorin vullnetarisht makinat dhe në vend të saj të zgjedhin transportin publik. Transporti publik jo vetëm që është i kufizuar, jo vetëm që ka cilësi të mjerueshme, por në ditët pa makina, ai është i pamundur pasi bllokimi i rrugëve bëhet në mënyrë arbitrare pa krijuar asnjë lehtësi për transportin publik. Të përdorësh transportin publik në ditët pa makina do te thotë të ndërrosh disa autobuzë vetëm e vetëm sepse qendra e qytetit është e bllokuar për shkak të “ditës pa makina”.

Prirja e Kryebashkiakut Veliaj dhe qeverisë që bashkëpunon me të për të “edukuar” qytetarët, për të shijuar ditët pa makina, është në fakt përgatitja tinzare për të ulur kundërshtinë e qyetarëve për kthimin e qendrës së qytetit në zonë vetëm për kalimtarë. Duket sikur bashkia po i mat pulsin qytetarëve për të parë sa të madhe ta lenë rrezen e pjesës për këmbësorë.

Në fakt kur mendoj mbylljen e sheshit që është nyja kyçe e gjithë sistemit të transportit në Tiranë— e cila natyrisht do të bëhet pjesë për kalimtarë me betonin, materialin e parapëlqyer—përveç dhimbjes së kokës më fillojnë dhimbjet e shpirtit. Kjo dhimbje më shtohet kur dëgjoj e shikoj “dëgjesat” e Kryebashkiakut Veliaj me “publikun”. Në fakt këto dëgjesa, janë monologje të Zotit Veliaj, të plotësuara herë pas here nga monologjet e Kryeministrit Edi Rama.

Duke dashur t’i thyej këto monologje, dua ta shpreh publikisht: Tirana nuk ka nevojë për pedonale në zemër të qytetit. Pedonalia në qendër të qytetit nuk përmirëson cilësinë e ajrit. Pedonalia në qendër të qytetit nuk përmirëson jetën e qytetarëve. Në një qytet si i yni ku mungojnë shërbimet minimale publike, ku infrastruktura urbane dhe ekonomike është primitive, pedonalja do të shkaktojë më shumë probleme.

Edhe pas mbylljes së Sheshit Skëndërbej numri i makinave që do të qarkullojnë në qytet do të jetë i njejtë. Vetëm se kësaj here ato do të qëndrojnë më gjatë në rrugët e qytetit, pasi distancat do të jenë zgjatur dhe lëvizshmëria do të jetë ulur. Rrjedhimisht, ato do të ndotin më shumë ajrin, do të shtojnë kohën në makinë për qytetarët, do të shtojnë lodhjen dhe stresin e ngarjes së makinës, do të ushtrojnë trysni mbi trotuare dhe pjesët e tjera publike.

Mjedisi dhe qytetarët do të kenë kosto më të lartë. Për ta kuptuar këtë, kujtoni veten në trafik në ndonjë prej ditëve pa makina dhe përfytyroni një situatë disa herë më keq—pasi ditët pa makina kanë qenë të dielave, kurse tani do jenë çdo ditë të javës.

Në këto kushte do t’i sugjeroja Bashksië që pjesët për këmbësorë t’i planifikojë në zonën e bulevardit të ri që po ndërton nga e para, duke qënë se atje ka toka të lira dhe urbanizimi është ende zero. Kjo është e pamundur sepse klientët aty kanë planifikuar të ndërtojnë.

Mos ndoshta pedonalja shërben për të vënë në zbatim planin e vitit 2003, të prishen ndërtesat në qendër dhe në vend të tyre të ndërtohen kulla gjigande? Gjithmonë, nën logon e duam Tiranën si Nju Jorkut? Edhe pse Nju Jorku ka metronë më gjigande në botë dhe nga mijëra kilometra rrugë e sheshe vetëm disa segmente, pak qindra metërshe, janë vetëm për kalimtarë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>