Reshjet e shiut, gjatë orëve të para të mëngjesit, kanë përmbytur disa qytete të vendit.
Në Tiranë, rrugët e Kombinatit, Komunës së Parisit dhe të Don Boskos janë përmbytur. Gjithahstu, ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe, pasi kolektorët e tyre janë bllokur. Situata paraqitet problematike dhe në zonën e Bregut të Lumit.
Në Vlorë, bulevardi dhe rrugët që lidhin qytetin me rrugën Transballkanike janë të pakalueshme. Bizneset që ndodhen në katet e para të pallateve janë përmbytur.
Në Lezhë, në lagjen Besëlidhja, banesat dhe bizneset në katet e para janë mbuluar.
Në Durrës, zonat problematike janë Spitalla, ish-Këneta, zona e Plazhit, Stacioni i Trenit, lagjet 1, 4 e 5. Në këto zona ka vështirësi në kalimin e rrugëve nga automjetet.
Ndërkohë, qytetet Kavaja, Golemi, Qerreti e Seferaj janë pa energji elektrike, prej disa orësh.
Në Fier, në Seman, Levan e Mbrostar janë përmbytur dhjetra hektarë tokë.