Gjykata e Apelit vendosi sot rikthimin në detyrë të Haki Çakos, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
Haki Çako u pezullua nga detyra më 7 qershor, me vendim të Gjykatës së Tiranës, pasi akuzohet nga prokuroria për “shpërdorim detyre” në skandalin e pajisjes së përgjimit.
Prokuroria e Përgjithshme pretendon se drejtori i policisë në bashkëpunim ka lejuar futjen në vend dhe përdorimin e një pajisje përgjimi të telefonave celularë, në shkelje të ligjit dhe rregullave administrative, përfshi mungesën e autorizimit nga Prokurori i Përgjithshëm.
Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se Haki Çako ka dhënë tre dëshmi të ndryshme në tre marrjet në pyetje nga prokuroria. Nuk ka ende asnjë reagim zyrtar nga prokuroria për vendimin e sotëm të apelit.
Vetë Çako nuk ka qenë i pranishëm në seancën e sotme gjyqësore, por në çdo dalje publike ai ka mohur të ketë shkelur ligjin në lidhje me pajisjen e përgjimit.