Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi sot kryeministrin Rama se me korrupsionin me të cilin po qeveris ka shkatërruar ekonominë dhe jetën e shqiptarëve.
“Lekët e doganave i fusin në xhepat e tyre dhe pastaj për të kompensuar këtë vjedhje që i bëjnë qytetarëve shkurtojnë ndihmën ekonomike, shkurtojnë investimet, nuk rrisin rrogat, nuk rrisin pensionet, rrisin çmimin e energjisë. E gjithë barra e korrupsionit bie mbi shpatullat e qytetarëve dhe më shumë mbi shpatullat e qytetarëve të pamundur”, u shpreh Zoti Basha, gjatë një takimi sot me qytetarët e Kamzës, Paskuqanit e Bathores.
Zoti Basha premtoi se në qeverinë e drejtuar prej tij, do të hapen vende pune falë investimeve në infrastrukturë, do të luftohet korrupsioni e do t’i jepet fund diskriminimit në investime mes bashkive të majta e të djathta.
Sipas tij, bashkia e Kamzës, ku përfshihet dhe Paskuqani e Bathorja, është braktisur nga qeveria dhe është lënë pa investime, vetëm se ka zgjedhur një kryebashkiak të djathtë.