Dhjetra qytetarë e aktivistë protestuan, sot, kundër ndërtimit të hidrocentraleve në luginën e lumit Valbona. Protestuesit marshuan nga Ministria e Industrisë dhe Energjitisë tek Kryeministria, nën moton “Larg duart nga Valbona”.
Ata i kërkuan qeverisë të heqë dorë nga ndërtimi i hidrocentraleve, pasi dëmi i tyre në natyrën e Valbonës është i pariparueshëm.
“Këto hidrocentrale shkatërrojnë natyrën, cënojnë ekonominë dhe zhvillimin e turizmit. Qeveria duhet të ruajë identitetin e Parkut të Valbonës e jo ta shkatërrojë atë”, u shpreh një prej protestuesve.
Qytetarët e akuzuan qeverinë se po qeveris me arrogancë, pa u interesuar për mjedisin e turizmin, duke dhënë me koncesion çdo lumë e luginë për të ndërtuar hidrocentrale.
Lugina e Valbonës me një sipërfaqe prej 8 mijë hektarësh është shpallur Park Kombëtar që në vitin 1996. Por pak kohë më parë, qeveria dha me koncesion ndërtimin e 11 hidrocentraleve në rrjedhën e lumit, ç’ka do të thotë betonizim e shkatërrim të florës e faunës së zonës dhe shkatërrimin e një prej pikave turistike më të vizituara nga turistë vendas e të huaj.
Pothuaj të gjitha familjet që jetojnë pranë luginës së Valbonës kanë investuar në aktivitete lidhur me turizmin. Për ta, ndërtimi i hidrocentraleve do të thotë humbja e bizneseve dhe të ardhurave.
Artikuj të lidhur:
Krimi kundër Valbonës dhe thesareve të tjera të natyrës