Qeveria Rama vendosi, javën e shkuar, të shtyjë me 10 vjet afatin e kontratës koncesionare të kompanisë ACR Holding për shfrytëzimin e minerës së kromit në Bulqizë, vendburimi më i madh i kromit në Shqipëri dhe një ndër më të mëdhenjtë në botë.
Kontrata e mëparshme koncesionare përfundonte në vitin 2031, kohë kur miniera duhej t’i kthehej shtetit shqiptar, ndërsa tani ajo do të shfrytëzohet nga konçesionari deri në vitin 2041.
Justifikimi i qeverisë është se koncesionari ka marrë përsipër të investojë 15 milionë euro mbi planin e mëparshëm të investimeve, ndaj ky premtim është shpërblyer me zgjatjen me 10 vjet të kohëzgjatjes së konçesionit.
Vendimi i sotëm e qeverisë është minimalisht i parakohshëm pasi ai duhej të konsiderohej në vitin 2031. Për më tepër, qeveria ka vendosur mbi një premtim në letër për një investim të pritshëm shumë vite larg nga sot.
Nga pikëpamja ekonomike veprimi i qeverisë është absurd, edhe për faktin se ai i “dhuron” koncesionarit të paktën 300-400 milionë euro të ardhura për një investim minimal—në periudhën 2011-2013 koncesionari ka deklaruar 30-40 milion euro të ardhura vjetore.
Vendimi ngre dyshime edhe për ligjshmërinë e tij. Koncesionari ACR—fillimisht, në vitin 2001, në pronësi të kompanisë italiane Darfo; pastaj në vitin 2007, në pronësi të një konsorciumi austriak-rus; dhe së fundmi nga viti 2013, nën pronësi të kompanisë shqiptare Balfin të biznesmenit Zamir Mane—ka shkelur vazhdimisht kushtet e koncesionit për realizimin e investimeve dhe kriteret e operimit të minierës së Bulqizës, që ndër të tjera kanë çuar në 7 vdekje minatorësh ndër vite.
Për këto arsye në nëntor 2013, pak muaj pas ardhjes në pushtet, u raportua në media se qeveria Rama pezulloi apo vuri nën kontroll akitvitetin neë minierë. Pa dhënë shpjegime nëse u shlyen detyrimet e mëparshme nga koncesionari dhe nëse janë përmirësuar kushtet e operimit në minierë, papritmas qeveria ka vendosur për shtyrjen e afateve të koncesionit.
Veprimi i qeverisë për disa është i papritur edhe për një arsye tjetër: kur ishte në opozitë, Partia Socialiste ka qenë një kritike e ashpër ndaj qeverisë Berisha në lidhje me blerjen e kompanisë koncesionare nga kompania Balfin në janar të vitit 2013, duke e quajtur atë veprim klientelist.
Ministri Sajmir Tahiri ishte një nga zërat më të fortë që kundërshtoi në atë kohë blerjen e kompanisë koncesionare. Ne një nga deklarimet e tij publike ai bëri një sërë pyetjesh e kërkesash publike ndaj qeverisë Berisha (shih më poshtë).
Mbas vendimit të fundit të qeverisë Rama, pjesë e së cilës është tashmë Zoti Tahiri, pyetja e natyrshme është: a shtroi Ministri Tahiri të njejtat pyetje për Kryeministrin Rama para se të ngrinte dorën për të votuar pro zgjatjes së afatit të koncesionit të minierës së Bulqizës?
Në shkurt 2013, Zoti Tahiri deklaroi:
“Mësova se kompania kryesore shfrytëzuese e kromit të Bulqizës, ACR, e cila fitonte miliarda pa përmbushur planin e investimeve, siç nuk e ka përmbushur dhe sot, ka shitur të drejtën e shfrytëzimit, duke u larguar përfundimisht nga vendi, prezumoj me miliona euro fitim, e duke lënë pas vetëm minatorët që rropaten po njëlloj.
Ju kujtoj këtu se kësaj kompanie, ministri paraardhës, i firmosi një marrëveshje brenda 24 orëve, me anë të së cilës ACR përfitonte shtyrjen e shlyerjes së gjobave. Marrëveshje që nuk u miratua kurrë në Parlament siç e kërkonte ligji. ACR iku pa i shlyer kurrë këto gjoba, duke marrë vetëm fitimin kolosal, duke mos kryer investimet e po kështu, duke mos paguar as gjobat
Të gjitha këto kompani vijnë, shfrytëzojnë mineralin, fitojnë miliarda, nuk bëjnë investime, nuk paguajnë gjoba e krisin e ikin. Siç fati i minatorëve mbetet po i njëjti, skllevër të skllavopronarit të radhës, duke trashëguar varfërinë siç trashëgojnë shfrytëzuesit fitimet kolosale. Po i njëjtë fati i shfrytëzimit të pasurisë publike. Kromi, pasuria jonë më e madhe kombëtare, mbetet mall pa zot, në përdorim të tutorit të radhës.”
Zoti Tahiri i kërkoi publikisht Ministrit të atëhershëm të Ekonomisë, Edmond Haxhinasto dokumentat dhe informacionet e mëposhtme:
- Dokumentacionin që provon garancitë financiare të shoqërisë së re që merr koncesionin në përmbushje të legjislacionit në fuqi dhe marrëveshjen koncesionare të miratuar në parlament;
- Dokumentacionin që provon se shoqëria e re plotëson kushtet e investitorit të fushës;
- Praktikën e transferimit të lejes koncensionare nga ACR sh.a. tek shoqëria e re koncensionare;
- Realizimin e investimeve nga shoqëria koncensionare ACR sh.a. nga 1 korrik 2009 deri në 31 dhjetor 2012;
- Dokumentacionin që provon pagesën e penaliteteve nga shoqëria ACR sh.a. për moszbatimin e kushteve të kontratës koncensionare mbi realizimin e investimeve brenda afatit;
- Grafikun e hapjes te pusit Nr. 9 të thellësisë të Minierës së Kromit Bulqizë dhe realizimin e këtij grafiku për periudhën 1 korrik 2009 deri ne 31 dhjetor 2012;
- Sasinë e rezervave të mineralit të kromit që kanë shfrytëzuar shoqëritë koncensionare dhe prodhimin e mineralit të kromit të realizuar nga këto kompani, të ndarë për secilën shoqëri për të gjithë periudhën e dhënies me koncesion deri në 31 dhjetor 2012;
- Sasinë e rezervave të mineralit të kromit që kanë mbetur pa u shfrytëzuar mbi nivelin e 14 të thellësisë të Minierës së Kromit Bulqizë;
- Sasinë e rezervave që është shfrytëzuar nga shoqëria koncensionare ACR sh.a. për periudhën 1 korrik 2009 deri ne 31 dhjetor 2012 dhe prodhimin e mineralit të kromit që ajo ka realizuar për këtë periudhë.