Turizmi nuk zhvillohet kështu

Turizmi nuk zhvillohet kështu

Sipas Bankës së Shqipërisë, për katër mujorin e parë të vitit 2016 vetëm 3,8 për qind e kredisë i jepet sektorit të restoranteve dhe hotelerisë, por këtu nuk përfshihen bizneset e vogla të administruara nga persona fizike.

Arsyeja pse sektori i turizmit merr pak kredi është se në vitin 2015 rreth 30 për qind e kredive në këtë sektor kanë rezultuar kredi me probleme, pra nuk kanë paguar këstet e kredisë në kohën e parashikuar në kontratë. Kjo situatë është në përmirësim po të krahasohet me atë të vitit 2014, në të cilin 35% e kredive ishin problematike.

Pra, nuk duket se sektori i turizmit gëzon shëndet të mirë dhe aq më shumë se kredia e dhënë për turizmin ndihmon në rritjen ekonomike të këtij sektori, pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme të qeverisë që e cilësojnë turizmin si një nga sektorët parësor për zhvillimin e ekonomisë në vend.

Këto të dhëna tregojnë se zhvillimi ekonomik është më i komplikuar dhe serioz. Vetëm një strategji e vërtetë e përbërë nga një sërë veprimesh, publike ose private, të mbikëqyrura ose të kontrolluara, mund të vërë në lëvizje sektorin turistik dhe të japë një kontribut thelbësor si për punësimin, ashtu dhe për ekonominë në përgjithësi.

Çështja e parë i përket modelit të turizmit, për të cilin qeveria nuk ka prodhuar asnjëherë direktiva apo instrumente ligjvënës për t’i orientuar investimet aty ku është e nevojshme. Kjo krijon vështirësi për të identifikuar “produktin e turizmit shqiptar” gjë që e bën të pamundur promovimin e tij nëpër tregjet ndërkombëtare.

Çështja e dytë i përket informalitetit të përgjithshëm të sistemit, ku aktiviteti ushtrohet në forma mikro biznesi, pa të dhëna financiare, pa të dhëna statistikore dhe me një të dhënë të dobët fiskale dhe kontribuese. Mungesa e këtyre elementëve ul garancitë për shlyerjen e kredive kundrejt bankave dhe si rrjedhojë, gjithë procesin e financimit në këtë sektor. Por ndërkohë lejon shumë operatorëve të kryejnë konkurrencë të padrejtë, në dëm të atyre pak operatorëve që punojnë sipas rregullave.

Çështja e tretë ka të bëjë me mungesën e një sistemi garantues për operatorët turistikë që menaxhojnë klientelën e huaj. Këto operatorë mund të nxirren jashtë loje nga hotele apo restorante që nuk respektojnë prenotimet telefonike apo marrëveshjet me agjencitë, duke larguar kështu klientët e huaj.

Krijimi i një agjencie të madhe dhe serioze – platformë publike prenotimi ku pjesëmarrja do të jetë e detyrueshme për gjithë hoteleritë – mund të garantojë si kontrollin fiskal ashtu edhe kontrollin e prenotimeve dhe çmimeve efektive, gjithmonë nëse menaxhohet në mënyrë efikase. Mbi të gjitha, një formë e tillë menaxhimi do të rriste shumë fluksin e turistëve të huaj, duke garantuar mbrojtje për operatorët turistikë.

Ndërkohë që ish – ministri i Ekonomisë dhe Turizmit Ahmetaj, kur përgatiti ligjin e ri mbi turizmin që do të hyjë në fuqi këto javë, nuk mori asnjë masë të tillë të nevojshme. Ai bëri të detyrueshme licencimin e guidave turistike; vendosjen e gjobave për guidat turistike pa licence, si dhe përcaktoi tokat në bregdet që do t’i jepen ndërtuesve për të ndërtuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>