Gjykata angleze ka pezulluar sot procedurën e ekstradimit të biznesmenit Francesco Bechetti dhe ortakut të tij Mauro De Renzis. Vendimi është marrë nga gjykatësja Nina Tempia e Gjykatës së Westminster në Londër, pas një dëgjese dy ditore.
Avokatët e Zotit Bechetti argumentuan para gjykatës se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht dhe se procesi i ekstradimit të tij ka qenë abuziv dhe i manipuluar nga qeveria shqiptare.
Gjyqtarja Tempia ka rënë dakord me argumentat dhe provat e avokatëve, duke pranuar se qeveria shqiptare ka tentuar të manipulojë informacionin në lidhje me procesin dhe akuzat ndaj zotit Beketi. Për këtë arsye ajo ka hedhur poshtë kërkesën e qeverisë shqiptare për ekstradim dhe ka urdhëruar anullimin e të gjitha procedurave të ekstradimit.
Juristët e qeverisë shqiptare bënë të ditur se do ta apelojnë vendimin, për të cilën kanë afat 14 ditë.
Zoti Bechetti u shpreh i gëzuar me vendimin dhe mirënjohës ndaj gjykatës angleze për objektivitetin dhe profesionalizmin e trajtimit të çështjes së tij.
Ai pohoi se vendimi i gjyqtares dëshmoi qartë se proceset penale kundër tij në Shqipëri kanë qenë të motivuara politikisht.
Me këtë rast Zoti Beketi deklaroi se ai do të vazhdojë ndjekjen e të gjitha procedurave kundër qeverisë shqiptare për “dëmin e madh që i ka shkaktuar jo vetëm biznesit [të Zotit Beketi] por dhe qindra njerëzve dhe familjeve të tyre që kanë punuar në to.”
Midis Zotit Beketi dhe qeverisë shqiptare por zhvillohen tre procese ndërkombëtare arbitrazhi për dëmet e shkaktuara ndaj bineseve dhe interesave ekonomike te bzinesmenit në Shqipëri. Shuma totale e dëmshpërblimit që ai kërkon nga qeveria është 1,5 miliardë euro.
Para disa muajsh, në një vendim paraprak, Gjykata e arbitrazhit ndërkombëtar e Bankës Botërore ICSID në Washington DC i kërkoi qeverisë shqiptare të pezullojë procedimin penal dhe urdhërin e arrestit dhe ekstradimit kundër Francesco Becchettit dhe Mauro de Renzis, deri në shqyrtimin e plotë të çështjes prej saj.
Artikuj të lidhur:
Francesco Becchetti është gjallë dhe do ta fitojë betejën kundër qeverisë