Lëvizja Socialiste për Intregim ritheksoi sot qëndrimin e saj për një reformë në drejtësi të arritur vetëm nëpërmjet konsensusit mes palëve dhe bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Deputeti Petrit Vasili, njëkohësisht dhe kreu i grupit parlamentar të LSI, deklaroi se për LSI-në, këto dy kushte janë të panegociushme për të votuar reformën.
Zoti Vasili theksoi se reforma është domosdoshmëri për të ardhmen e vendit dhe nuk duhet parë thjesht si alibi elektorale.
Reagimi i Zotit Vasili erdhi një ditë pas refuzimit të opozitës së propozimit të qeverisë amerikane për t’i dhënë rol vendimmarrës vëzhguesve të huaj në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Apelimit, dy institicionet që do hetojnë figurën e punonjësve të sistemit të drejtësisë, të njohur si procesi i vetingut.