Kryeministri Rama reagoi menjëherë pas akuzave të kreut të PD-së Basha se po tenton të prishë negociatat e arritura deri më tani nga takimi Rama-Meta-Basha.
Kreymistri akuzoi kreun e PD-së Lulzim Basha se po kërkon të negociojë kushte që për SHBA-në e BE-në janë të pakapërcyershme.
Zoti Rama tha se gjatë bisedimeve të ditës së fundit ka patur progres, por kërkesa e PD-së për të hequr nga projekti kushtetues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe për të ndryshuar kornizën e veprimtarisë së tij është e panegociueshme.
“PD ka fituar në këtë proces të gjatë dhe shumë të vështirë të gjitha ato që i takojnë dhe sinqerisht e komplimentoj Lulzim Bashën dhe ekipin e tij për rezultatet që kanë arritur. Por PD as nuk mund të kërkojë dhe as nuk mund të marrrë atë që nuk i takon dhe që i bie ndesh rrugës tonë të përbashkët për të bërë një shtet dinjitoz të shqiptarëve, me shqiptarët dhe për shqiptarët e jot ë partive, më partitë e për partitë”, deklaroi Zoti Rama.
Kryeministri u shpreh se Aleanca për Shqipërinë Europiane do të votojë në bllok për miratimin e reformës në drejtësi më 21 korrik dhe i kërkoi dhe deputetëve të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.
“Kam qenë, jam dhe do të jem deri në orën 10:00, të 21 korrikut për konsensus dhe kam bërë gjithçka për konsensusin, por mes kërkesës për konsensus deri në absurd që bllokon reformën dhe miratimin e saj që zhbllokon rrugën e një revolucioni që pritet prej 25 vitesh në drejtësi unë, ASHE zgjedh vendosmërisht këtë të dytën”, mbylli deklaratën e tij kryeministri.