Pritet që negociatat për reformën në drejtësi mes përfaqësuesve të PS, Ëngjëll Agaçit, të PD-së Oerd Bylykbashit, LSI-së Ylli Manjanit e përfaqësuesve të OPDAT e EURALIUS të nisin sërish sot në mesditë.
Kreu i PD-së Basha ju përgjigj pozitivisht kërkesës së kryeministrit Rama për konsensus. Ai tha se ekspertët e opozitës po finalizojnë paketën e 7 ligjeve kushtetuese dhe se janë gati të ulen sërish në negociata.
Menjëherë pas Zotit Basha, gatishmërinë për rinisjen e bisedimeve e ka konfirmuar dhe ministri i Drejtësisë Ylli Manjani.
Zoti Manjani konfirmoi kronologjinë e ngjarjeve të Zotit Basha, pra se dje u shkua shumë afër një marrëveshjeje, por më pas ajo nuk u nënshkrua. Por, ministri theksoi gjithsesi, se teknikisht nuk ka pengesa për zgjidhjen e dy çështjeve që kanë mbetur pezull që kanë të bëjnë me rolin e ndërkombëtarëve dhe formulën e rakorduar për legjitimimin e misionit ndërkombëtar.
Tani pritet vetëm bashkimi në tryezë dhe i përfaqsuesit të PS-së Agaçi. Duket se ky i fundit do të jetë i pranishëm në negociata pasi Kryeministri Rama deklaroi më parë se PS do të jetë e hapur për konsensus deri më 21 korrik.