Tani që pothuajse është arritur dakordësia e të gjitha palëve për reformën në drejtësi, është kuptuar një kërcënim i madh ndaj saj: reforma në drejtësi mund të çbëhet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, pasi mund të shkelë disa të drejta të cilat garantohen nga Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.
Në emër të premtimit se do të çlirojë Shqipërinë nga korrupsioni dhe do ta ndryshojë vendin përgjithmonë, është hartuar një reformë e cila jo vetëm ndryshon pjesën më të madhe të Kushtetutës, por cënon disa të drejta kushtetuese dhe të drejta universale që i gëzon çdo qytetar.
Ndër të tjera, paketa kushtetuese shkel parimin themelor të paramendimit të pafajësisë, si dhe të drejtat e privatësisë, të cilat i garanton thuajse çdo vend në botë (shiko këtu për më shumë).
Për këto arsye, nëse personat e prekur nga reforma do të mund të ankohen në Gjykatën e Strasburgut, elementë të rëndësishëm të reformës mund të rrëzohen prej saj.
Prandaj, autorët e reformës tani duan të mbyllin çdo mundësi që individët e prekur të kenë qasje në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Për të arritur këtë gjë, mjafton të mos lihet shteg për ankimim në Gjykatën tonë Kushtetuese, pasi Gjykata e Strasburgut nuk mund të marrë në shqyrtim asnjë çështje që nuk është gjykuar më parë nga Gjykata Kushtetuese e vendit përkatës.
Kjo është pika që ka mbetur pezull dhe nuk ka akoma dakordësinë e palëve: a do kenë të drejtë të ankohen në Gjykatën Kushtetuese dhe për rrjedhojë në Gjykatën e Strasburgut individët që refuzohen nga procesi i vetingut.