Shifrat e tregtisë së jashtme të vendit në qershor 2016, të publikuara nga INSTAT, paraqesin situatën e rëndë të krijuar nga efekti i përbërë i uljes së çmimeve të lëndëve të para dhe nga falimentimi i një prej prodhuesve më të mëdhenj industrialë, Kurum, një ndër tre eksportuesit më të mëdhenj të vendit.
Treguesit e vetëm që mbeten optimistë në eksport janë ato të sektorit të prodhimeve tekstil dhe të këpucëve, si dhe sektori agro-industrial, që në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2015 janë rritur, respektivisht me 5,3 pikë përqindje dhe 2 pikë përqindje (kategoria “ushqim, pije, duhan” është rritur me 1,4 pikë përqindje, ndërsa “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me 0,6 pikë përqindje).
Ndërkohë, importet u rritën me 4 për qind gjatë 6-mujorit. Gjithsesi, kjo mund të jetë vetëm efekt i procedurave doganore të pazakonta që imponuan rritje të vlerave të deklaruara (për të vërtetuar këtë hipotezë duhen të dhëna jo të disponueshme mbi sasitë e importuara dhe jo vetëm mbi vlerën e importeve).
Rezultati total është rritje e deficitit tregtar me 22,8 për qind në krahasim me një vit më parë ose ndryshe rritje me 450 milionë euro të diferencës mes vlerës së importeve dhe eksporteve.
E thënë në një gjuhë të thjeshtë, në një vit të vetëm Shqipëria ka përkeqësuar bilancin e saj tregtar më gati 4,5 për qind të PBB-së. Duke qenë se investimet e huaja dhe dërgesat nga emigrantët kanë mbetur afërsisht të njëjta, këto importe të rritura janë financuar kryesisht nga rritja e borxhit të jashtëm.
Kjo prirje vë në dukje një përkeqësim gradual dhe të qëndrueshëm të perspektivës ekonomike të vendit. Mbi të gjitha tregon se cilët janë sektorët me potencial eksportues, të cilët duhet të mbështeten me lehtësira ligjore dhe fiskale në të ardhmen: bujqësia dhe prodhimet tekstile dhe të këpucëve (prodhimet fason).