
16 shqiptarë kanë mbetur të bllokuar në tokën neutrale mes Greqisë dhe Shqipërisë në Kapshticë, pas mbylljes së kufijve, si masë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Ata janë kthyer nga Greqia, pasi i ka mbaruar e drejta 30 ditore për të qëndruar, por dogana shqiptare nuk i lejon të futen në Shqipëri, megjithëse dogana greke i ka lejuar të kalojnë.
Ata janë nga Gramshi, Burreli, Elbasani dhe Korça e i kanë kërkuar qeverisë t’i lejojë të shkojnë në shtëpitë e tyre.
Gjatë 24 orëve të fundit që 16 shqiptarët kanë mbetur të bllokuar në Kapshticë, moti është përkeqësuar dhe kanë nisur rreshjet e dëborës duke e bërë edhe më të vështirë qëndrimin.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i bëri thirrje qeverisë të kthejë menjëherë shqiptarët e bllokuar në pikat e kalimit kufitar në Greqi dhe në Malin e Zi.
“Braktisja e qytetarëve është papërgjegjshmëri çnjerëzore. Asnjë shtet në botë nuk pengon qytetarët e vet të futen në atdheun e tyre dhe të shkojnë në shtëpinë e tyre,” shkroi Zoti Basha në Facebook.