Presidenti Nishani ka kërkuar një takim me përfaqësues të grupeve parlamentare për të diskutuar për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Emërimeve në Drejtësi (KED).
Presidenti u shpreh se ndërsa Kushtetuta i kërkon atij të zgjedhë anëtarët e KED-it pesë ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese, nuk ka ende një bazë ligjore për të nisur formimi i këtij komisioni.
Më poshtë Exit sqaron se çfarë është KED dhe se ku qëndron problemi sipas Presidentit Nishani.
Çfarë është KED?
KED është institucioni që do të bëjë verifikimin dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për lnspektor të Lartë të Drejtësisë.
Ai do të përbëhet nga 9 anëtarë: 2 anëtarë nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, 1 anëtar nga gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, 1 anëtar nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, 2 anëtarë nga gjyqtarët dhe 2 nga prokurorët e apelit, dhe 1 anëtar nga gjyqtarët e gjykatave administrative.
Anëtarët zgjidhen me short nga Presidenti i Republikës mes gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, nga data 1-5 dhjetor i çdo viti. Anëtarët e KED shërbejnë për një mandat një vjeçar, nga 1 janari deri më 31 dhjetor i vitit pasardhës.
Shqetësimi i Presidentit Nishani
Sipas nenit 179/11 të Kushtetutës, Presidenti duhet ta zhvillojë shorteun për anëtarët e KED-së së parë pesë ditë pasi hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese.
Ndryshimet hyjnë në fuqi më 11 gusht, ndaj shorteu duhet të zhvillohet brenda datës 16 gusht.
Shqetësimi i Presidentit Nishani lidhet me faktin se Kushtetuta përcakton se kriteret mbi të cilat do të caktohen gjyqtarët dhe prokurorët që mund të marrin pjesë në shorte rregullohen nga një ligj i veçantë, që ende nuk është miratuar nga Kuvendi.
Ky ligj është një nga shtatë projektligjet që shoqërojnë ndryshimet kushtetuese dhe rregullojnë institucionet e reja janë ende në diskutim në Komisionin e Posaçëm të Reformës.
Nëse Presidenti i Republikës nuk i përzgjedh anëtarët brenda 16 gushtit, kjo kompetencë i kalon Kryetarit të Kuvendit. Ky i fundit duhet t’i zgjedhë ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Deri më tani, ende nuk ka reagim nga PS, PD e LSI lidhur mbi këtë shqetësim të Zotit Nishani.