
Dhjetra maturantë protestuan të mërkurën paradite përpara godinës së Kryeministrisë për caktimin e të drejtës së tyre të studimit. Shqetësimi i tyre kryesor është se Ministria e Arsimit ka caktuar që shumë prej tyre të studiojnë në universitetet private, duke njehsuar krejtësisht universitetet publike me ato private.
Studentët shprehën pakënaqësi me kriteret dhe mënyrën e llogaritjes së pikëve për t’u pranuar në universitete dhe kërkuan rillogaritjen e tyre.
Nxënësit u shprehen se nuk janë informuar, nuk janë këshilluar dhe nuk u është dhënë asnjë sqarim mbi mënyrën e aplikimit dhe përzgjedhjes së programit të studimit. Si rezultat, shumë prej tyre kanë bërë gjatë viteve të studimit zgjedhje pa ditur se rregullat e lojës do të ndryshonin më vonë.
Kriteret për pranim për në sistemin universitar janë marrë pas përfundimit të studimeve. Kështu Vendimi i Këshillit të Ministrave që cakton notën mesatare minimale për të drejtën e konkurimit është miratuar në qershor të 2016, kur shkolla kishte mbaruar.