Partitë politike në Shqipëri karakterizohen nga mungesa e transparencës financiare, e demokracisë së brendshme dhe e standardeve. Këto janë përfundimet kryesore të raportit për vitin 2016 të Transparency International, organizatës më të rëndësishme kundër korrupsionit në botë.
Raporti thekson mungesën e pavarësisë së institucioneve që duhet të mbikëqyrin aktivitetin e partive, si Komisioni Qendror Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor apo gjykatat. Ndërhyrja politike gjatë vendimmarrjes është shkaku kryesore që këto institucione nuk mund të luftojnë korrupsionin dhe të mbrojnë interesat publike.
Më poshtë, disa nga përfundimet dhe rekomandimet kryesore të raportit :
Përfundime:
- Qytetarët kanë humbur besimin në partitë politike dhe kanë vlerësuar dobët performancat e tyre në vitet e fundit. Ata shprehen se promovimi i personave me precedentë penalë nga partitë politike ka ulur më shumë integritetin dhe nivelin e besimit.
- Përqendrimi i pushtetit në duart e liderit është lehtësuar shumë nga sistemi zgjedhor, sipas të cilit listat elektorale janë të mbyllura dhe hartohen nga drejtuesit.
- Karriera e anëtarëve brenda në parti varet më shumë nga afërsia me liderët, ndërsa forumet e strukturat partiake kanë shumë pak rol në vendimmarrje.
- Roli i strukturave partiake në hartimin e programit, organizim apo orientimin politik është dobësuar në pesë vitet e fundit.
- Studimet e fundit për demokracinë e brendshme në partitë kryesore – PS, PD dhe LSI- tregojnë se parimi “një anëtar, një votë” është i pavlefshëm kur përballet me konkurrencën artificiale apo inekzistente, veçanërisht në garat për kryesinë.
- Në statutet e tre partive më të mëdha në vend (PS, PD, LSI) flitet për parime demokratike, zgjedhje për drejtuesit e partisë apo të tjera procese vendimmarrëse. Por praktika ka treguar se statutet injorohen dhe rregullat brenda partive shkelen.
- Pavarësisht se Kushtetuta parashikon publikimin në mënyrë të vazhdueshme të burimeve financiare dhe shpenzimeve nga partitë politike, kuadri ligjor për zbatimin e saj është i paplotë.
- Partitë nuk janë të detyruara të raportojnë dhe publikojnë financat e tyre gjatë fushatës elektorale, çka nuk siguron informacion dhe transparencë për qytetarët.
- Transparenca financiare e partive në praktikë është në nivele shumë të ulëta. Një monitorim nga organizata MJAFT! tregon se partitë e mëdha raportojnë fonde dhe shpenzime nga 2 deri në 6 herë më të ulëta nga ato realet.
- Pavarësia e institucioneve mbikëqyrëse si KQZ, Kolegji Zgjedhor apo Gjykata e Apelit për çështje të administratës zgjedhore nuk është gjithmonë e garantuar. Kjo ka lejuar ndërhyrjen e partive dhe rrjedhimisht, njëanshmëri në vendimet e tyre.
- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pengohet nga ndërhyrjet e partive pasi janë këto që emërojnë anëtarët e tij. Pavarësisht se anëtarët bëjnë një betim paanshmërie, vitet e fundit ndikimet politike kanë qenë të dukshme.
- Burimet njerëzore të KQZ-së për mbikëqyrjen e financimit të fushatave – vetëm dy punonjës – janë të pamjaftueshme, duke ia transferuar një pjesë të punës auditorëve të jashtëm. Këta të fundit, në mungesë të shtysave, nuk kanë mbikëqyrur siç duhet partitë politike dhe financat e tyre.
- Media mbulon vetëm aktivitetin e partive të mëdha, në dëm të atyre të voglave dhe kandidatëve të pavarur dhe nuk i jep informacion të mjaftueshëm votuesve mbi alternativat politike.
Rekomandime për partitë politike:
- Të publikojnë në mënyrë të vazhdueshme burimet e financimeve dhe shpenzimet e tyre.
- Të publikojnë biografitë e detajuara të kandidatëve për deputetë apo kryetar bashkie.
- Të rrisin standardet në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve apo zyrtarëve të tjerë publikë.