Liria Ekonomike: Taksat, korrupsioni e sistemi gjyqësor janë problemet e Shqipërisë

Liria Ekonomike: Taksat, korrupsioni e sistemi gjyqësor janë problemet e Shqipërisë

Taksat e larta mbi të ardhurat e fitimin, korrupsioni dhe mungesa e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë problemet kryesore të Shqipërisë. Ky është përfundimi i raportit të përvitshëm mbi Lirinë Ekonomike në Botë, hartuar nga instituti Fraser. Raporti ka analizuar të dhënat e vitit 2014 të 159 shteteve, në pesë kategori të ndryshme, secila me disa tregues:

a)madhësia e qeverisë, taksat dhe shpenzimet;

b) sistemi ligjor dhe siguria e të drejtës së pronës;

c) qëndrueshmëria e parasë dhe inflacioni;

d)liria për tregtinë ndërkombëtare;

e) ligji për kreditë, punën dhe biznesin.

Me një sistem vlerësimi nga 0 në 10 – ku 0 është vlerësimi më i ulët, ndërsa 10 më i lartë – Shqipëria vlerësohet në total me notën 7,40.

Kategoria vlerësuar në total me notën më të ulët, 4,8, është sistemi ligjor dhe e drejta për pronën. Sektorët me më shumë probleme të kësaj kategorie janë mungesa e pavarësisë së sistemit gjyqësor, vendimet e njëanshme të gjykatave dhe mungesa e mbrojtjes së pronës private.

Lidhur me taksat, Shqipëria ka humbur pikë krahasuar me vitet e mëparshme pas kalimit nga taksimi i sheshtë prej 10 për qind në taksim progresiv deri në 23 për qind. Rol në përkeqësimin e këtij faktori ka luajtur dhe rritja e tatimit mbi fitimin me 50 për qind,  nga 10 për qind që ishte në vitin 2013, në 15 për qind.

Tregues tjetër negativ, vlerësuar me notën 3,77, është korrupsioni, rryshfetet dhe favorizimet që qeveria i bën bizneseve të caktuara.

Nga ana tjetër, kategoria më e  vlerësuar në raport është qëndrueshmëria e parasë, ku me notat më të larta janë vlerësuar treguesit “liria për të pasur një llogari bankare në monedhë të huaj” dhe “inflacioni në vitet e fundit”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>